• e enjte, 26 dhjetor 2024

Bekteshi: Nuk kemi interes të privatizojmë MEPSO-n, as pjesë të MEPSO-s

Bekteshi: Nuk kemi interes të privatizojmë MEPSO-n, as pjesë të MEPSO-s

Shkup, 3 nëntor 2023 (MIA) - Kurrfarë biseda nuk janë mbajtur për shitjen e MEPSO-s në kompaninë greke IPTO dhe as ofertë nga kompania greke për Ministrinë e Ekonomisë. Nuk kemi interes për privatizimin e MEPSO-s, madje as një pjesë të MEPSO-s, pohon ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

"Në Ministrinë e Ekonomisë jam i sigurt se nuk ka oferta nga kompania greke. Mund të dëshirojnë, por në fushën e infrastrukturës energjetike po bëjmë përpjekje që t'i mbetet  shtetit sepse është një investim strategjik, një kompani strategjike që mund të ndikojë në fushën e sigurisë", thotë Bekteshi në Tema e ditës në TV Sitel.

Lidhur me indikacionet se këtë vit ka pasur dy takime mes përfaqësuesve të MEPSO-s dhe operatorit grek të energjetikës - IPTO, ai thotë se takime mund të jenë bërë, por Qeveria është ajo që merr vendimet nëse dëshiron të rrisë kapitalin, të bëjë rikapitalizim, të shkojë në partneritet publik-privat e të tjera.

"Nuk ka vendime të tilla në Qeveri sepse ne kemi bërë të kundërtën. Aty ku kishim partner privat në pjesën e gazsjellësit blemë aksionet e tyre në mënyrë që pjesa e energjetikës të jetë 100 për qind në pronësi të shtetit", thotë Bekteshi.

I pyetur në kuadër të Planit të Veprimit për zbatimin e marrëveshjes së Prespës, ku në sektorin e energjetikës, rezulton se Qeveria ka rënë dakord të shqyrtojë mundësinë e hyrjes së IPTO-s me investime në sistemin tonë, ministri Bekteshi sqaroi se janë parashikuar disa pika në atë marrëveshje të Prespës jo vetëm në ekonomi por edhe thellimin e ekonomisë dhe si mundësi parashihen edhe gjëra të tjera si naftësjellësi, interkonektori i cili është drejt përfundimit.

"Kjo as që ka filluar, por ne nuk kemi interes për privatizimin e MEPSO-s, as një pjesë të MEPSO-s", është i vendosur Bekteshi.

Lidhur me vërejtjet e panelit të ekspertëve për vendimin e qeverisë për dhënien me koncesion të ndërtimit dhe menaxhimit të hidrocentralit Çebren në partneritet publik-privat t'ia japë një kompanie greke, ministri thekson se ky projekt është diskutuar prej dekadash, kanë qenë disa tentativa të pasuksesshme dhe për herë të parë kemi një ofertues specifik, i cili pranoi, sipas specifikimeve që janë kërkuar, që EMV të përfshihet në pronësi.

"Për ta bërë të qartë për qytetarët, ne kemi vënë kushte shtesë që investitori potencial privat duhet t'i pranojë nëse dëshiron të lidhë kontratë. Marrëveshja ende nuk është lidhur mes MMJPH-së dhe kompanisë greke. Nëse pranohen kushtet e Qeverisë të përcaktuara në dokumentacionin e tenderit, të cilat pretendohet se janë kontestuar nga ofertuesit potencial, atëherë do të shkojmë për një marrëveshje të tillë. Nëse nuk pranohen, atëherë nuk ka asgjë kontestuese, gjithçka do të shpallet në mënyrë transparente dhe do të jetë në interes të shtetit", thotë Bekteshi.

Qeveria deri më tani nuk ka marrë përgjigje nga kompania greke, ndonëse në MMJPH tashmë janë duke diskutuar për kushtet e vendosura nga Qeveria", thotë Bekteshi. sa/

FOTO: Arkivi i MIA-s 

 

QËNDRONI TË LIDHUR