Babish kërkon që BE-ja t'i përfshijë vendet e Ballkanit Perëndimor në zonën e Shengenit
- Kryeministri i ri i Çekisë, Andrej Babish sot, në mbledhjen e parë me Qeverinë e re, theksoi se ai është për Bashkimin Evropian, por BE-ja nuk po zgjidh disa probleme, mes të cilave edhe zgjerimin e zonës së Shengenit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
- Post By Sara Ademi
- 13:21, 15 dhjetor, 2025
Pragë, 15 dhjetor 2025 (MIA) - Kryeministri i ri i Çekisë, Andrej Babish sot, në mbledhjen e parë me Qeverinë e re, theksoi se ai është për Bashkimin Evropian, por BE-ja nuk po zgjidh disa probleme, mes të cilave edhe zgjerimin e zonës së Shengenit me vendet e Ballkanit Perëndimor.
"Nuk e kuptoj pse BE-ja nuk vendosi shumë kohë më parë ta zgjerojë zonën e Shengenit me vendet e Ballkanit Perëndimor, për ta mbrojtur Evropën tonë në det nga kontrabandistët, të cilët i keqpërdorin njerëzit dhe u premtojnë jetë më të mirë, ndërsa vetëm ua marrin paratë", theksoi Babish.
Ai njoftoi se çështjet urgjente evropiane në rend dite do të jenë nesër, në javën e parë të punës të Qeverisë së re çeke.
"Do t'i hedhim poshtë lejet e reja për emisionet e gazrave ETC2, sepse bëhet fjalë për një tatim të ri të gjelbër, do ta hedhim poshtë paktin migrues", theksoi Babish.
Ai shtoi se do të marrë pjesë në Samitin e ardhshëm të BE-së, si dhe në mbledhjen e vendeve të cilat do t'i hedhin poshtë zgjidhjet e reja migruese evropiane të organizuar nga Danimarka. Babish të mërkurën njoftoi se do të marrë pjesë në mbledhjen e liderëve të vendeve nga Ballkani Perëndimor.
Babish thekson se ai dhe partia e tij ANO gjithmonë kanë luftuar për interesat e Evropës, por Unioni tani po e humb konkurencën dhe nuk zgjidh probleme siç janë burimet e energjisë, evazioni tatimor ose manipulimet doganore.
Ai njoftoi edhe se Çekia do të vazhdojë me ndihmën humanitare për Ukrainën, por nuk theksoi nëse do ta pranojë propozimin për shfrytëzimin e mjeteve të ngrira ruse për ndihmë të Kievit. sa/
foto: EPA