• e diel, 22 mars 2026

Analizë e CSIS dhe BBC-së: Slmet iraniane ndaj bazave amerikane kanë shkaktuar dëm prej 800 milionë dollarëve

Analizë e CSIS dhe BBC-së: Slmet iraniane ndaj bazave amerikane kanë shkaktuar dëm prej 800 milionë dollarëve

Londër, 21 mars 2026 (MIA) - Sulmet iraniane ndaj bazave ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme në dy javët e para të konfliktit kanë shkaktuar dëm prej rreth 800 milionë dollarëve, sipas një analize të re të Qendrës për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS) dhe BBC.

Ajo thekson se pjesa më e madhe e dëmit u shkaktua nga sulmet fillestare hakmarrëse nga Irani pasi SHBA-ja dhe Izraeli filluan sulmet e tyre.

"Dëmi ndaj bazave amerikane në rajon është nënvlerësuar," tha Mark Kançian, këshilltar i lartë i CSIS dhe bashkautor i studimit. "Edhe pse duket enorme, shuma e plotë nuk do të dihet derisa të jenë në dispozicion më shumë informacione".

Në përgjigje të një kërkese për koment, Departamenti amerikan i Mbrojtjes ia referoi BBC-së Komandës qendrore Amerikane, e cila po udhëheq luftën. Zyrtarët atje refuzuan të komentojnë, raportoi BBC.

Sulmet hakmarrëse të Iranit shënjestruan sistemet e mbrojtjes ajrore dhe të komunikimit satelitor të SHBA-së, ndër asete të tjera, në Jordani, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vende të tjera në të gjithë Lindjen e Mesme.

Një pjesë e konsiderueshme e dëmit u shkaktua nga një sulm ndaj një radari amerikan për sistemin e mbrojtjes nga raketat Thaad në një bazë ajrore në Jordani.

Sistemi i radarit AN/TPY-2 kushton afërsisht 485 milionë dollarë, sipas një shqyrtimi të CSIS të dokumenteve të buxhetit të Departamentit të Mbrojtjes. Sistemet e mbrojtjes ajrore përdoren për të kapur raketat balistike me rreze të gjatë veprimi.

Sulmet nga Irani shkaktuan një dëm shtesë prej 310 milionë dollarësh të vlerësuar në ndërtesa, objekte dhe infrastrukturë tjetër në bazat amerikane dhe bazat ushtarake të përdorura nga forcat amerikane në rajon.

Irani gjithashtu sulmoi të paktën tre baza ajrore më shumë se një herë, sipas një analize të imazheve satelitore nga BBC Verify. Sulmet e përsëritura I nënvizojnë përpjekjet e Iranit për të targetuar asete specifike amerikane.

Imazhet satelitore tregojnë tre baza ajrore - bazën ajrore Ali Al-Salem në Kuvajt, Al-Udeid në Katar dhe bazën ajrore Princ Sultan në Arabinë Saudite - me dëme të reja që shfaqen në faza të ndryshme të konfliktit.

Që nga fillimi i konfliktit, SHBA-ja ka humbur 13 ushtarë, ndërsa grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se rreth 3.200 njerëz janë vrarë gjithsej, përfshirë 1.400 civilë.

Zyrtarët e Pentagonit vlerësojnë se gjashtë ditët e para të luftës i kushtuan SHBA-së 11.3 miliardë dollarë, ndërsa 12 ditët e para 16.5 miliardë dollarë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pit Hegseth, ka kërkuar 200 miliardë dollarë shtesë për të financuar konfliktin. mb/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR