• e martë, 24 dhjetor 2024

Ambasadori amerikan në Kosovë: FBI-ja e përfshirë në hetimin për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc

Ambasadori amerikan në Kosovë: FBI-ja e përfshirë në hetimin për sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc

Prishtinë, 21 dhjetor 2024 (MIA) - Ambasadori amerikan në Kosovë, Xhefri Hovenier deklaroi për mediumet e Kosovës se FBI-ja e heton sulmin terrorist në kanalin Ibër-Lepenc. Ai tha se SHBA-ja ka dhënë përkrahje nga FBI-ja për këtë rast dhe hetimi është në vijim.

"Ne kemi ofruar dhe kemi sjellë mbështetjen e FBI-së këtu në Kosovë tani për të punuar drejtpërdrejt dhe me kohë të plotë me organet e zbatimit të ligjit të Kosovës për të ndihmuar në identifikimin e përgjegjësve dhe për të siguruar që ky hetim të jetë i besueshëm, i plotë dhe të çojë në përfundimet e duhura", tha ai.

Hovenier theksoi se kurrë nuk është ide e mirë që ambasadorët të flasin për hetimet e zbatimit të ligjit dhe hetimet po vazhdojnë pandërprerë.

"Kështu që gjithçka që mund të them në lidhje me të dhëna ose sugjerime ose se ku po shkon kjo është se qeveria e ShBA-së nuk është ende në gjendje të thotë që kemi nxjerrë përfundime ose e dimë se kush është përgjegjës për këtë sulm”, deklaroi ai.

Ambasadori amerikan shtoi tha se pasi të zbulohet e vërteta, do të bashkëpunojnë me autoritetet në Kosovë që kriminelët të japin përgjegjësi, njoftuan mediat kosovare. bsh/

QËNDRONI TË LIDHUR