Aleanca për Shqiptarët propozoi tre kandidatë për kryetarë të komunave për Strugën, Dibrën dhe Haraçinën
- Udhëheqësia e Aleancës për Shqiptarët sonte pas një debati dyorësh në Gostivar, zgjodhi tre kandidatët për kryetar komunash në zgjedhjet e ardhshme edhe atë: urologun Arsim Dalipi për Strugën, Ilirijan Fetahun për Dibrën dhe Skender Isufin për Haraçinën.
- Post By Ramize Qamili
- 22:19, 1 gusht, 2025
Gostivar, 1 gusht 2025 (MIA) - Udhëheqësia e Aleancës për Shqiptarët sonte pas një debati dyorësh në Gostivar, zgjodhi tre kandidatët për kryetar komunash në zgjedhjet e ardhshme edhe atë: urologun Arsim Dalipi për Strugën, Ilirijan Fetahun për Dibrën dhe Skender Isufin për Haraçinën.

Vendimin e kumtoi lideri i partisë, Ziadin Sela pas pjesës së parë të seancës së kryesisë e cila është mbajtur në selinë e partisë në Gostivar.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve rreth rëndësisë së zgjedhjeve të ardhshme, ai mes tjerash i quajti ato si "referendum".
"Nuk mund të kontestojmë se në në zgjedhjet e mëparshme u shkel e drejta e votës së shqiptarëve. Këto zgjedhje po mbahen në një atmosferë ku shqiptarët me votë, jo vetëm që do të zgjedhin kryetarët e komunave, por do të tregojnë edhe se nuk do të lejojnë që faktori politik maqedonas të vendos se kush do të jetë përfaqësuesi i tyre në Qeveri apo në qeverisjen lokale", tha Sela.
Sipas tij, dhënia e votës për koalicionin "Fronti Evropian" do të ulë ndikimin e siç potencoi ai, "vendeve të tjera dhe Serbisë" dhe për këtë arsye është e rëndësishme të mbahet ky "referendum" përmes të cilit votuesit shqiptarë do të shprehin qartë qëndrimin e tyre. rq/
Foto: MIA