• e shtunë, 13 korrik 2024

Është ulur dukshëm numri i kalimeve ilegale në kufijtë e jashtëm të BE-së, sidomos në Ballkanin Perëndimor

Është ulur dukshëm numri i kalimeve ilegale në kufijtë e jashtëm të BE-së, sidomos në Ballkanin Perëndimor

Bruksel, 13 korrik 2024 (MIA) - Numri i kalimeve ilegale në kufijtë e Bashkimit Evropian në gjashtë muajt e parë të vitit 2024, sipas të dhënave të Fronteks, është ulur për pothuajse një të tretën (30 për qind), në rreth 94.000, raporton Hina.

Nga rrugët kryesore të migrimit, rënia më e madhe e numrit të kalimeve të paligjshme kufitare të zbuluara është në Ballkanin Perëndimor dhe Mesdheun, ndërsa rritja më e madhe është vërejtur në kufijtë tokësorë lindorë dhe drejt Afrikës Perëndimore. Më shumë emigrantë të paligjshëm në të gjitha rrugët këtë vit ishin nga Siria, Mali dhe Afganistani.

Numri i kalimeve të paligjshme të zbuluara në rutën e Ballkanit Perëndimor është ulur për madje 72 për qind, ndërsa ruta e Mesdheut, e cila regjistroi numrin më të madh të kalimeve të paligjshme vitin e kaluar, shënoi një rënie prej 61 për qind. Pavarësisht kësaj, ajo mbeti rruga më aktive këtë vit me pothuajse 26.000 kalime të zbuluara.

Ndërkohë, rruga e Afrikës Perëndimore vazhdon të regjistrojë një numër rekord të kalimeve të zbuluara. Numri i përgjithshëm i emigrantëve të paligjshëm që mbërritën në Ishujt Kanarie në gjysmën e parë të vitit është rritur për 174 për qind, në pothuajse 20.000.

Rruga e dytë më aktive e migrimit në gjysmën e parë të vitit ishte Mesdheu Lindor, ku numri i të ardhurve është rritur për 75 për qind, në afro 25.000.

Në gjashtë muajt e parë të vitit 2024 është vërejtur gjithashtu një rritje të ndjeshme e kalimeve të paligjshme të kufijve tokësorë lindorë, me një rritje prej 148 për qind ose mbi 6.700. Shumica dërrmuese e emigrantëve të zbuluar në këtë rrugë ishin shtetas të Ukrainës.

Fronteks thekson se me më shumë se 2.900 oficerë dhe personel të angazhuar në operacione të ndryshme, ata mbeten të përkushtuar për mbrojtjen e kufijve të jashtëm të BE-së. mb/

Foto: MIA

 

QËNDRONI TË LIDHUR