ZZhTI: Prezantoi me sukses mundësitë e investimit për komunitetin e biznesit në Hungari
- Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski, i cili është pjesë e delegacionit të Maqedonisë së Veriut i cili po qëndron për një vizitë politike dhe ekonomike në Hungari, sot në Budapest në një ngjarje të organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Afarist midis Hungarisë dhe Maqedonisë, para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit hungarez, prezantoi potencialin dhe mundësitë investuese që ofron shteti dhe ZZhTI për investitorët e huaj.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 18:11, 30 mars, 2026
Shkup, 30 mars 2026 (MIA) - Drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike Industriale, Goce Dimovski, i cili është pjesë e delegacionit të Maqedonisë së Veriut i cili po qëndron për një vizitë politike dhe ekonomike në Hungari, sot në Budapest në një ngjarje të organizuar me rastin e Ditës së Bashkëpunimit Afarist midis Hungarisë dhe Maqedonisë, para përfaqësuesve të komunitetit të biznesit hungarez, prezantoi potencialin dhe mundësitë investuese që ofron shteti dhe ZZhTI për investitorët e huaj.
Dimovski, në fjalimin e tij, u përqendrua në klimën e favorshme të biznesit, kushteve konkurruese të investimeve dhe mbështetjes aktive institucionale që u sigurohet kompanive në zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale. Ai theksoi se shteti ofron një mjedis biznesi të qëndrueshëm dhe të parashikueshëm, si dhe mekanizma specifikë mbështetës në të gjitha fazat e procesit të investimit. Theks i veçantë u vu në potencialin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik midis dy vendeve, si dhe në mundësitë për realizimin e investimeve të reja, veçanërisht në sektorët me vlerë të lartë të shtuar.
Fjalime hyrëse në këtë ngjarje mbajtën edhe kryeministri Hristijan Mickoski dhe ministri për Çështje Evropiane të Hungarisë, Janos Boka, të cilët theksuan rëndësinë e promovimit të bashkëpunimit ekonomik dhe thellimit të partneritetit midis dy vendeve.

Mickoski, siç informojnë, theksoi se komunikimi i drejtpërdrejtë midis kompanive është kyç për krijimin e modeleve të reja afariste, për hapjen e tregjeve dhe gjenerimin e rritjes së qëndrueshme ekonomike. Në këtë drejtim, kryeministri Mickoski i dërgoi një mesazh të qartë komunitetit afarist se Maqedonia është e hapur për investime dhe partneritete, duke ofruar kushte të favorshme, një pozicion strategjik gjeografik dhe një fuqi punëtore të kualifikuar. Ai i inkurajoi kompanitë hungareze të shqyrtojnë mundësitë e investimit në vend, por në të njëjtën kohë theksoi se kompanitë e Maqedonisë së Veriut janë të gatshme të zgjerojnë aktivitetet e tyre në tregun hungarez.
Në kuadër të ngjarjes, gjithashtu janë realizuar edhe disa takime të drejtpërdrejta me kompanitë, gjatë të cilave u shkëmbyen informacione dhe u iniciuan mundësi konkrete për bashkëpunim të ardhshëm.

Në përbërjen e delegacionit qeveritar janë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Igor Janushev, drejtori i Agjencisë për Investime të Huaja dhe Promovim të Eksportit, Refik Xhemaili, drejtori i Drejtorisë për Zonat Zhvillimore Industriale Teknologjike, Goce Dimovski, si dhe drejtoresha e Agjencisë për Inovacion, Zhvillim Shkencor dhe Teknologjik dhe Sipërmarrje, Daniella Dimovska.
Tema e diskutimit në takimin e sotëm në Budapest, siç është paralajmëruar, do të jenë avancimi i marrëdhënieve dypalëshe, bashkëpunimi ekonomik dhe çështjet aktuale rajonale dhe evropiane.
Foto: ZZhTI