• e martë, 24 dhjetor 2024

Zyrtare: Juventusi e shkarkoi Alegrin

Zyrtare: Juventusi e shkarkoi Alegrin

Torino, 17 maj 2024 (MIA) - Juventusi edhe zyrtarisht e ka shkarkuar trajnerin e klubit, Masimiliano Alegri njoftuan nga klubi. Si shkak "zonja e vjetër" citon veprimet e trajnerit pas finales së Kupës së Italisë e cila u fitua ndaj Atalantës. Trajneri ka humbur durimin pas suksesit të skuadrës të mërkurën dhe ka hyrë në një konflikt të hapur, fillimisht me arbritrat e ndeshjes, më pas me drejtorin sportiv Kristiano Xhuntoli, duke bërë gjeste drejt shefit dhe menjëherë pas kësaj ka kërcënuar një gazetar të "Tutosport". Sjellja e Alegrit u komentua si e papranueshme nga Juventusi dhe për vlerat e klubit.

"Juventusi informon se Masimiliano Alegri është shkarkuar nga posti i trajnerit të ekipit të parë. Kjo është pasojë e sjelljes së tij gjatë dhe pas finales së Kupës së Italisë të cilën klubi e konsideron si të papranueshme për vlerat e skuadrës. Klubi i uron Masimiliano Alegrit sukses në përpjekjet e tij të ardhshme", thuhet në deklaratën zyrtare të skuadrës.

Alegri është një nga trajnerët më të suksesshëm në historinë e skuadrës së Torinos. Ai ka pesë tituj në Itali, dy Superkupa dhe pesë Kupa të Italisë, e fundit prej të cilave e bëri atë trajnerin më të vlefshëm në garë. Kjo ishte periudha e dytë e trajnerit në krye të "Zonjës së vjetër" pasi ai u kthye në stadiumin "Aliains" në verën e vitit 2021. Periudha e tij e parë me ekipin ishte nga viti 2014 në 2019. Mediat prej javësh pohojnë se në krye të Juventusit në të ardhmen do të jetë Tiago Mota i cili aktualisht drejton Bolonjën. qa/

Foto: arkivi

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR