• e mërkurë, 17 korrik 2024

Zelenski në Uashington: Mos e prisni nëntorin që t'i ndihmoni Ukrainës

Zelenski në Uashington: Mos e prisni nëntorin që t'i ndihmoni Ukrainës

Uashington, 10 korrik 2024 (MIA) - Presidenti i Ukrainës Volodimir Zelenski u bëri thirrje liderëve politikë amerikanë në Uashington që të mos presin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA për të marrë veprime vendimtare për të ndihmuar vendin e tij kundër pushtimit rus, publikojnë mediat britanike.

"Të gjithë e presin nëntorin. Amerikanët e presin nëntorin, në Evropë, në Lindjen e Afërt, në Paqësor, e gjithë bota shikon drejt nëntorit, ndërsa me të vërtetë (presidenti rus Vlladimir) Putin gjithashtu e pret nëntorin", tha Zelenski, duke folur në Institutin Ronald Regan para Samitit të NATO-s.

Zelenski tha se nuk mund të parashikonte se çfarë do të bënte Donald Tramp përderisa zgjidhej për një mandat të dytë për president të SHBA-së në nëntor, duke shtuar se ai nuk e njihte mirë Trampin, por shpreson se mbështetja e SHBA-së për Kievin nuk do të ndryshojë.

"Nuk e njoh shumë mirë. Nuk e di. Kisha takim me të dhe takime të mira kur ishte president..... por nuk e kaluam luftën me të", tha Zelenski.

Zelenski më vonë falënderoi aleatët e NATO-s, të cilët premtuan më shumë mbrojtje ajrore për të ndihmuar Ukrainën të mbrohet kundër sulmeve me dronë dhe raketa ruse, shkroi DPA.

Në hapjen zyrtare të samitit të NATO-s në Uashington, në të cilin mori pjesë Zelenski, presidenti Bajden njoftoi mbështetje të re ushtarake për Ukrainën.

"Rusia nuk do të fitojë", tha kategorikisht presidenti amerikan në fjalimin e tij të shumëpritur, pasi katër muaj para zgjedhjeve presidenciale u ngritën pyetje rreth aftësisë së tij për të mbajtur linjën politike të taborit demokratik. rq/

Foto: arkivi i MIA-s

 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR