• e enjte, 26 dhjetor 2024

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti mori pjesë në hapjen e Forumit të investimeve dhe tregtisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

Zëvendëskryeministri i parë Mexhiti mori pjesë në hapjen e Forumit të investimeve dhe tregtisë mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë

Shkup, 27 shtator 2024 (MIA)- Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Izet Mexhiti sot mori pjesë dhe pati paraqitje në hapjen e Forumit të investimeve dhe tregtisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, që zhvilloi punimet në Shkup.

Mexhiti e vlerësoi këtë ngjarje të rëndësishme të organizuar nga Forumi i investimeve dhe tregtisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, si rast të shkëlqyer për të vënë në pah edhe një herë, lidhjet e forta mes Maqedonisë së Veriut dhe Turqisë, dhe sidomos potencialin e madh përpara, duke u bazuar në relacione shumë miqësore.

“Bashkëpunimi ekonomik ndërmjet dy vendeve tona ka sjellë përfitime të shumta, ndërsa investimet turke në Maqedoninë e Veriut kanë ndihmuar në zhvillimin e infrastrukturës dhe në krijimin e vendeve të punës, duke kontribuar në stabilitetin dhe rritjen ekonomike të Shkupit, Tetovës, Gostivarit e Maqedonisë së Veriut në përgjithësi”, tha zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti.

Mexhiti tha se interesimi i bizneseve tona për të shfrytëzuar mundësitë në tregun turk, është i madh, ndërsa investimet nga Turqia janë inkurajuese dhe model se si zhvillohet një biznes i mirëfilltë.

“Në këtë kontekst, Forumi i investimeve dhe tregtisë luan një rol kyç, sepse i ofron një platformë për shkëmbimin e ideve, përvojave dhe për të krijuar lidhje të reja. Është një mundësi e shkëlqyer për të eksploruar mundësi bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm, nga ndërtimi dhe prodhimi deri te teknologjia dhe shërbimet", tha Mexhiti.

Qeveria e re, do të vazhdojë të mbështesë iniciativat që promovojnë investimet dhe zhvillimin e tregtisë, duke krijuar një ambient të favorshëm për bizneset.

Në Forum morën pjesë biznesmenë nga Turqia dhe Maqedonia e Veriut, kryetarë të Odave ekonomike, deputetë dhe ambasadorë.

Foto: Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor

 

QËNDRONI TË LIDHUR