• e enjte, 26 dhjetor 2024

Vujçiq për MIA-n: Konsensusi politik dhe përfshirja e barabartë e të gjithë faktorëve - themeli i suksesit në bisedimet me BE-në

Vujçiq për MIA-n: Konsensusi politik dhe përfshirja e barabartë e të gjithë faktorëve - themeli i suksesit në bisedimet me BE-në

Shkup, 23 korrk 2023 (MIA) - Konsensusi politik dhe përfshirja e barabartë e të gjitha palëve të interesuara është themeli për sukses në bisedimet me BE-në, shprehet në intervistën për MIA-n Boris Vujçiq, Guvernator i Bankës Kombëtare Kroate dhe ish-zëvendës kryenegociator i Kroacisë me BE-në.

Këtë javë ai ishte mysafir i Konventës Kombëtare për Bashkimin Evropian (KKBE-MK) në sesionin “Lufta kundër korrupsionit dhe mbrojtja e interesave financiare të shtetit”.

Lidhur me korrupsionin, Vujçiqi shprehet se luftimi i tij kërkon luftë në tre fronte - nga njëra anë, transparencë në shpenzimin e parave të shtetit, zvogëlimin e hapësirës për korrupsion dhe më pas ndjekjen penale të atyre që kryejnë vepra penale.

"Baza për suksesin e bisedimeve është - konsensusi politik. Që nga fillimi, ne u përpoqëm të kishim atë konsensus politik në një mënyrë që të gjitha pjesët e shoqërisë të përfshiheshin në mënyrë aktive, politikisht – si pozita ashtu edhe opozita, përmes mekanizmit mbikëqyrës të bisedimeve, i cili ishte parlamentar, dhe gjithashtu në fillim ishin të përfshirë sipërmarrësit – shoqata e sipërmarrësve, sindikatat dhe pjesë të shoqërisë civile që duhej ta mbështesnin atë proces", shprehet Vujçiqi.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që nga fillimi që të gjithë të përfshihen plotësisht, në mënyrë që nëse ka ndryshim të pushtetit, sepse negociatat zgjasin shumë, nuk do të ketë ngadalësim të atij procesi, nëse dikush nuk është përfshirë sa duhet që nga fillimi.

Vijon intervista e plotë me video material:

Z. Vujçiq, ju jeni mysafir në Konventën Kombëtare për BE-në, në sesionin “Përballja dhe lufta me korrupsionin dhe mbrojtja e interesave financiare të shtetit”. Maqedonia e Veriut është kritikuar ashpër për mungesën e përparimit në luftën kundër korrupsionit. Si përballej konkretisht Kroacia me këtë çështje gjatë bisedimeve me BE-në? A është ky ende problem për shtetet edhe pas anëtarësimit në BE, apo tani ka mekanizma për përballje më të lehtë?

Kjo është një temë që padyshim është shumë e rëndësishme në bisedimet e Maqedonisë. Kjo temë ishte disi më pak e rëndësishme në bisedimet tona sesa është tani në Maqedoni. Megjithatë, korrupsioni është kudo problem që ekziston, ai çon kryesisht në një shpërndarje të pabarabartë të resurseve, sepse resurset e shtetit, të taksapaguesve, shpenzohen kryesisht në mënyrë joefikase ku ekziston korrupsioni, i cili nga njëra anë çon në rritje më të dobët të ekonomisë, e nga ana tjetër në pabarazi në shoqëri, e cila është e keqe për standardin e popullsisë, dhe është pikërisht kjo arsyeja pse ne duhet të luftojmë kundër tij.

Ka një varg mënyrash për të luftuar korrupsionin, një prej tyre janë disa rekomandime që i shohim sot këtu në Konventë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me transparencën, sepse transparenca e bën korrupsionin më të shtrenjtë dhe më të vështirë. Siç thashë, është më e vështirë të vjedhësh në dritë sesa në errësirë. E teknologjitë e sotme mundësojnë transparencë më të madhe, për dallim nga dhjetë apo njëzet vjet më parë, kryesisht për shkak të digjitalizimit, i cili na lejon të bëjmë llogaritë shtetërore, llogaritjen e vlerës së pronës shtetërore, më transparente dhe më të arritshme për të gjithë, në mënyrë që ata të mund të shohin dhe vlerësojnë.

Është një hap shumë i rëndësishëm, për t 'i bërë më transparente paratë publike, por ka mekanizma të tjerë, e një prej tyre është zvogëlimi i hapësirës ku ndodh korrupsioni. Korrupsioni zakonisht ndodh në kufirin midis sektorit privat dhe atij publik. Sa më shumë që zvogëlohet hapësirë aty ku ai mund të ndodhë, aq më shumë do të zvogëlohet korrupsioni. Një nga mënyrat për ta bërë këtë është privatizimi i asaj që mund të privatizohet në mënyrë efektive, por gjithashtu kërkon rregullim të mirë të atyre sektorëve pas kësaj. Dhe së fundi, është gjithashtu e rëndësishme të sanksionohet korrupsioni, sepse korrupsioni është diçka që nuk është e lejueshme. Procesi i sanksionimit është i rëndësishëm sepse kushton, siç e dimë, e bën shpenzimin e korrupsionit më të madh sesa përfitimi që mund të rrjedhë prej tij. Kjo do të thotë se në një situatë ku ju e procedoni korrupsionin në një mënyrë që të sekuestroni pronën e fituar në mënyrë të paligjshme, ose për të futur dikë në burg, kjo i kushton përfitimit të perceptuar të korrupsionit më pak se shpenzimi i mundshëm. Prandaj, është gjithashtu e rëndësishme dhe kjo vlen si për organet e prokurorisë që parashtojnë përgjegjësi penale për veprime të tilla të paligjshme, ashtu edhe për Ministrinë e Financave, e cila gjithmonë mund të kontrollojë nëse prona e dikujt është në përputhje me mënyrën se si paguhen taksat.

Pra, të tre frontet ndihmojnë për të luftuar korrupsionin  - nga njëra anë transparenca në shpenzimin e parave të shtetit, zvogëlimin e hapësirës për korrupsion dhe më pas ndjekjen penale të atyre që kryejnë vepra penale.

Si zëvendëskryenegociator me BE-në, a mund të na thoni se cilët kapituj janë më të vështirët dhe më të shtrenjtë për t'u biseduar? Cila është përvoja e Kroacisë, ku ka pasur më së shumti vështirësi?

Sigurisht, ka pasur kapituj më të rëndë dhe më të lehtë, ndonjëherë janë horizontale në të gjitha vendet, disa janë më të komplikuara, disa më pak, por ka edhe disa që janë më specifike për shtete të caktuar. Në rastin tonë, kemi pasur bisedime në të cilat kemi realizuar 80 nga kërkesat tona në  bisedimet për aki-to (acquis communitaire)  që Komisioni dhe vendet anëtare të BE-së i pranuan, kryesisht në fushën e bujqësisë, por në kapituj të tjerë. Kemi pasur bisedime mjaft të vështira, teknikisht voluminoze në fushën e gjyqësorit dhe sundimit të së drejtës, të cilat kishin të bënin me efikasitetin e gjyqësorit, dhe disa çështje dypalëshe politike, por edhe kapitullin e kompetencës së tregut, ku në rastin kroat ishin mjaft të vështira bisedimet rreth subvencioneve, për shembull për ndërtimin e anijeve, për prodhimin e çelikut për atë industri, kështu që edhe për këtë u bisedua një kohë mjaft të gjatë. Kështu që, në varësi të specifikave të një vendi të caktuar, ndonjë kapitull do të jetë më i vështirë ose më i lehtë për t'u biseduar, por të gjithë kapitujt kërkojnë një kuptim mjaft teknik të AKI-së, ose legjislacionit të BE-së, në mënyrë që bisedimet të përfundojnë më shpejt.

Bisedimet tona zgjatën pesë vjet e tetë muaj dhe ato ishin specifike në atë që, siç thashë sot, ato ishin bisedimet e para në mënyrën se si Maqedonia negocion sot, ku ka standarde për hapjen dhe mbylljen e kapitujve, të cilat duhet të përmbushen, kështu që për të hapur një kapitull duhet të plotësoni disa kërkesa, e pastaj edhe të mbyllet në mënyrë plotësuese. Ndonjëherë ata përcaktues për hapjen e kapitujve ishin edhe më të vështirë se ato për mbylljen e kapitujve. Kështu 

Kroacia u bë anëtare e Bashkimit brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohore nga fillimi i bisedimeve. Me çfarë ka të bëjë kjo, me gatishmërisë e kapaciteteve institucionale apo më i rëndësishëm ishte konsensusi kombëtar?

Edhe njëra edhe tjetra është shumë e rëndësishme. Mendoj se baza për suksesin e bisedimeve është konsensusi politik. Që nga fillimi, ne u përpoqëm të kishim atë konsensus politik në një mënyrë që të gjitha pjesët e shoqërisë të përfshiheshin në mënyrë aktive, politikisht – si pozita ashtu edhe opozita, përmes mekanizmit mbikëqyrës të bisedimeve, i cili ishte parlamentar, dhe gjithashtu në fillim ishin të përfshirë sipërmarrësit – shoqata e sipërmarrësve, sindikatat dhe pjesë të shoqërisë civile që duhej ta mbështesnin atë proces. Është shumë e rëndësishme që nga fillimi që të gjithë të përfshihen plotësisht, në mënyrë që nëse ka ndryshim të pushtetit, sepse negociatat zgjasin shumë, nuk do të ketë ngadalësim të atij procesi, nëse dikush nuk është përfshirë sa duhet që nga fillimi. Gjithashtu, në vetë kapitujt negociues, përveç politikës, është e rëndësishme të kemi ekspertë, profesionistë, të cilët mund të vijnë nga Akademia, në rastin tonë, shumë vijnë nga Akademia ose nga sektori privat, në varësi të ekspertizës në një fushë të caktuar.

Kroacia nga Viti i Ri u bë anëtare e eurozonës dhe vendosi euron si monedhë të saj pagesore. Cili është përfitimi nga kjo deri më tani, a ka shkaktuar kjo rritje të çmimeve të shitjes me pakicë?

Absolutisht euro është shumë e dobishme për Kroacinë, kështu që përfitimi nga euroja i tejkalon të gjitha shpenzimet. Vendosja e euros është kryesisht mënyrë për të eliminuar rrezikun e monedhës, nuk ka më monedhë të vetën, Banka Qendrore nuk duhet të shqetësohet më për stabilitetin e monedhës, rreziku i monedhës me hyrjen në zonën e euros hiqet. Çfarë do të thotë kjo? Ndoshta është më mirë të shohim në këtë moment, nëse krahasojmë, le të themi, shpenzimin e huamarrjes me normën e interesit në Kroaci, ose në vendet e Bashkimit Evropian që nuk janë në eurozonë. Në dy vitet e fundit, nëse e krahasojmë atë, do të shohim se shpenzimet e huamarrjes, qoftë të shtetit, të kompanive apo të amvisërive, në vende të tilla si Hungaria, Polonia, Republika Çeke, janë rritur ndjeshëm më shumë sesa ishte rasti me Kroacinë. Dhe këtu shohim përfitimin për të gjithë sektorët, si për shtetin ashtu edhe për ndërmarrjet, qytetarët, nga anëtarësimi në eurozonë. Madje kemi ardhur në situatë që nga fillimi i këtij viti, sepse atëherë kemi vendosur euron, sepse shpenzimet e huamarrjes, për shembull, për kreditë e banesave, ishin më të ulëta se në Gjermani. Kjo sigurisht që nuk do të ndodhte nëse nuk do të vendosnim euron.

Kroacia është një destinacion i mirënjohur për maqedonasit për punë sezonale. Shumë nga të punësuarit në administratën publike të vendit marrin leje pa pagesë për të shkuar në Kroaci për punë sezonale. A e plotëson mungesën e punëtorëve numri i shtetasve nga ish-republikat jugosllave që vijnë për të punuar në Kroaci?

Po, kjo është, do të thosha, tradicionalisht burimi kryesor i punës shtesë në të gjithë rajonin. Mirëpo, Kroacia ka bërë ndryshime të rëndësishme në pesë deri në gjashtë vitet e fundit, në kuptimin që tani kemi flukse migruese, pikërisht për shkak të punëtorëve që vijnë nga jashtë. Dhe kjo fillimisht ishte për punëtorët nga rajoni, duke përfshirë edhe nga Maqedonia, mirëpo sot nevoja për fuqi punëtore është shumë më e madhe, dhe ne erdhëm në situatë kur në vitin 2017 afërsisht një për qind e punëtorëve erdhën nga vendet e tjera. Megjithatë, tani kemi një shifër që ka arritur deri në tetë deri në ndoshta dhjetë për qind të punëtorëve, sipas disa vlerësimeve, tani vijnë punëtorë nga shumë destinacione më të largëta, kryesisht nga Azia.

Neda Dimova Prokiq

foto: Boris Kunoski

Video: Sërgjan Kërstiq

QËNDRONI TË LIDHUR