• e martë, 20 janar 2026

Vazhdojnë protestat në Iran, ndërsa protestuesit kanë marrë mbështetje nga Mosadi

Vazhdojnë protestat në Iran, ndërsa protestuesit kanë marrë mbështetje nga Mosadi

Teheran, 31 dhjetor 2025 (MIA) – Në Iran vazhdojnë protestat për shkak të zhvlerësimit të monedhës kombëtare, rialit dhe inflacionit, e sipas mediave lokale, katër studentë janë ndaluar nga Universiteti i Teheranit.

Universiteti i Teheranit është i rrethuar nga policia, ndërsa studentët janë të bllokuar në kampusin.

Protestat filluan më 28 dhjetor në Teheran, kur tregtarët shprehën zemërimin e tyre për zhvlerësimin rekord të monedhës vendase, rialit, kundrejt dollarit amerikan dhe inflacionin në rritje. Sipas Qendrës Shtetërore të Statistikave, inflacioni në dhjetor ishte 42,2 për qind. Çmimet e ushqimeve janë rritur për 72 për qind, kurse çmimet e ilaçeve për 50 për qind.

Protestat u përhapën edhe në qytete të tjera, ndërsa u bashkuan edhe studentë.

Presidenti iranian Masud Pezishkian ka premtuar reforma ekonomike dhe ka shprehur gatishmëri për dialog, por protestuesit e kanë injoruar atë.

Prokurori i Përgjithshëm i Iranit, Mohamad Movahedi Azad, deklaroi se protestat ekonomike janë legjitime, por se çdo përpjekje për të krijuar pasiguri do të përballet me një "përgjigje vendimtare".

"Protestat paqësore për mbijetesë janë pjesë e realiteteve shoqërore dhe të kuptueshme. Çdo përpjekje për t'i kthyer protestat ekonomike në një mjet për pasiguri, shkatërrim të pronës publike ose zbatim të skenarëve të projektuar nga jashtë do të përballet në mënyrë të pashmangshme me një përgjigje të ligjshme, proporcionale dhe vendimtare", theksoi Azad.

Protestuesit në Iran morën mbështetje nga shërbimi i inteligjencës izraelite Mosad.

Dilni së bashku në rrugë. Ka ardhur koha. Ne jemi me ju. Jo vetëm nga distanca apo me fjalë. Ne jemi me ju në terren, njoftoi Mosad në platformën Iks. ls/

Foto: EPA

 

QËNDRONI TË LIDHUR