Varrosen kryeministri dhe përfaqësuesit qeveritar të huthëve, gjatë sulmit izraelit në Jemen
- Mijëra njerëz morën pjesë sot në Sanë në funeralin e kryeministrit rebel jemenas Ahmed al-Rahavi dhe 11 zyrtarëve të tjerë, të cilët u vranë më 28 gusht në një sulm ajror izraelit në Jemen.
- Post By Sara Ademi
- 19:06, 1 shtator, 2025
Sanë, 1 shtator 2025 (MIA) - Mijëra njerëz morën pjesë sot në Sanë në funeralin e kryeministrit rebel jemenas Ahmed al-Rahavi dhe 11 zyrtarëve të tjerë, të cilët u vranë më 28 gusht në një sulm ajror izraelit në Jemen.
Në sulmin izraelit humbi jetën Rahavi, nëntë ministra dhe dy zyrtarë qeveritarë. Kjo është hera e parë që huthët njoftojnë vdekjen e zyrtarëve qeveritarë.
Kryeministri i përkohshëm Mohamed Mifta tha se vrasjet "nuk do të kenë sukses në destabilizimin e shtetit jemenas, por përkundrazi, gjaku i martirëve do të frymëzojë një vendosmëri edhe më të madhe dhe veprime edhe më të mëdha" në përgjigje të asaj që ai e përshkroi si një "komplot agresioni i dështuar".
Udhëheqësi i huthëve, Abdul Malik al Huthi, kërcënoi dje se do të intensifikojë sulmet ndaj Izraelit dhe theksoi se vrasjet e zyrtarëve të lartë nuk do t'i detyrojnë rebelët huthë të tërhiqen.
Rebelët jemenas kontrollojnë pjesë të mëdha të vendit, i cili ka qenë në luftë që nga viti 2014, përfshirë edhe Sanën, ku huthët kanë krijuar institucionet e tyre politike. Autoritetet e njohura ndërkombëtarisht të Jemenit, të dëbuara nga Sana, ndodhen në Aden.
Që nga fillimi i luftës në Gaza në tetor të vitit 2023, Huthët kanë lëshuar raketa dhe dronë në objektiva në Izrael dhe kanë sulmuar më shumë se 100 anije në Detin e Kuq dhe atë Arab, në Ngushticën Bab-el-Mandeb dhe në Gjirin e Adenit në mbështetje të palestinezëve. Në përgjigje, Izraeli ka goditur vazhdimisht objektiva në zonat e kontrolluara nga huthët në Jemen.
Jemeni është përfshirë në një luftë civile që nga viti 2014 midis forcave qeveritare, të mbështetura nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, dhe rebelëve Huthë, të mbështetur nga Irani. Kombet e Bashkuara e përshkruajnë konfliktin si një katastrofë humanitare që ka shkaktuar dëme të rënda në infrastrukturën e vendit të varfër. sa/
foto: DPA