• e shtunë, 23 nëntor 2024

Urimi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Urimi i kryetarit të Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, me rastin e 22 Nëntorit – Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, kryetari i Alternativës, Zeqirija Ibrahimi, ka përcjellë një urim për të gjithë shqiptarët, duke vlerësuar këtë ngjarje historike si një moment reflektimi për rëndësinë e gjuhës dhe identitetit kombëtar.

Në mesazhin e tij, Ibrahimi kujtoi kontributin e rilindësve që, përkundër dallimeve, ia dolën të unifikojnë alfabetin shqip.

“Përmes kësaj arritjeje të madhe, rilindësit projektuan suksesin dhe përparimin e kombit tonë,” u shpreh ai, duke theksuar se alfabeti mbetet një gur themeli për kulturën shqiptare.

Megjithatë, ai vuri në dukje se alfabeti nuk është i mjaftueshëm për ta ngritur, avancuar dhe zyrtarizuar gjuhën shqipe.

“Në Maqedoninë e Veriut, shqipja ende mbetet gjuhë e përkthyer dhe trajtohet si gjuhë minoriteti. Ky është rezultat i një kushtetute që përkufizon shqiptarët si pakicë”, tha kryetari i Alternativës.

Ibrahimi gjithashtu kritikoi përpjekjet e fundit të Gjykatës Kushtetuese për të shfuqizuar Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, një akt që ai e cilësoi si një goditje ndaj të drejtave të shqiptarëve.

“Askush nuk mund të na ndalojë të flasim dhe të shkruajmë shqip, sepse kjo gjuhë është shpirti dhe identiteti ynë. Ajo është lidhja jonë me të kaluarën dhe garancia për të ardhmen”, theksoi ai.

Duke iu referuar përgjegjësisë për situatën e tanishme, Ibrahimi tha se "kush e ka lejuar këtë gjendje, e dimë të gjithë, por nuk do të lejojmë që dikush të aktrojë keqardhje dhe të shfaqë lot krokodili".

"Detyra jonë është ta mbrojmë gjuhën tonë dhe të luftojmë për të drejtat tona”, u shpreh Ibrahimi.

Në përmbyllje të urimit, Ibrahimi bëri thirrje për vigjilencë dhe unitet, duke theksuar se mbrojtja e gjuhës është mbrojtja e identitetit kombëtar.

“Së bashku jemi më të fortë dhe më të mbrojtur. Kjo është rruga për të projektuar të ardhmen tonë”, përfundoi ai. bsh/

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR