• e martë, 24 dhjetor 2024

MMJPH: Mbrojtja e mjedisit jetësor nuk kërkon vetëm financa, por edhe vetëdije të lartë

MMJPH: Mbrojtja e mjedisit jetësor nuk kërkon vetëm financa, por edhe vetëdije të lartë

Shkup, 22 nëntor 2024 

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor dhe Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut janë duke punuar seriozisht në përmirësimin e kushteve në mbrojtjen e mjedisit jetësor duke krijuar qasje shumësektoriale dhe të koordinuar.

Prioritetet e kësaj Qeverie janë të përcaktuara qartë dhe buxhetet janë krijuar sipas prioriteteve. Për më tepër, jemi plotësisht të përkushtuar për të tërhequr donatorë dhe investitorë ndërkombëtarë për të siguruar fonde shtesë për të përmbushur qëllimet e përcaktuara.

Nuk ka kategori ligjore të taksave në ligjet mjedisore nacionale, por bëhet fjalë për kompensime për mjedisin jetësor të parashikuar në ligjet ekologjike.

Përmes këtyre kompensimeve për mjedisin jetësor mblidhen mjete në buxhetin qendror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përveç atyre që derdhen në llogarinë vetëfinancuese të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe të Planifikimit Hapësinor (MMJPH).

Në llogari të MMJPH-së paguhen mjete për përdorimin e mjeteve motorike dhe mjeteve lundruese, dhënien e provimeve për menaxhimin me mbeturina, dhënien e provimeve për vlerësimin e ndikimit mbi mjedisin jetësor dhe vlerësimin e ndikimit strategjik në mjedisin jetësor, kompensime për qeset e biodegradueshme dhe paraqitjen e kërkesave për leje të Integruar Mjedisore A ose B, për ndryshimin ose transferimin e tyre, si dhe për mbikëqyrjen e rregullt të instalimeve.

Të gjitha mjetet e grumbulluara në këtë bazë kthehen në mjedisin jetësor dhe shpërndahen vazhdimisht në baza vjetore përmes programeve përkatëse, përkatësisht: Programi për investime në mjedisin jetësor, Programi për ujërat, Programi për lëndët djegëse fosile, Programi vjetor për financimin e menaxhimit të flukseve të veçanta të mbeturinave.

Këto programe janë baza për investime të vazhdueshme dhe të përgjegjshme në mbrojtjen e mjedisit jetësor. Me qëllime të përcaktuara qartë për shpërndarjen e fondeve, ofrojmë jo vetëm burime financiare, por edhe veprime konkrete për të arritur zhvillim të qëndrueshëm, progres sistematik drejt sigurimit të një mjedisi jetësor të pastër dhe të shëndetshëm në interes të të gjithë qytetarëve. Por, financimi për mbrojtjen e mjedisit jetësor nuk sigurohet vetëm nga buxheti i MMJPH-së, por përmes një sërë aktivitetesh të tjera plotësuese përmes ministrive të tjera në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Sigurimin e ujit të pastër për çdo qytetar të këtij vendi, si dhe ngritjen e sistemeve të kullimit dhe pastrimit të ujërave të ndotura, e konsiderojmë si një nga prioritetet kryesore. Projekte të tilla infrastrukturore kërkojnë qasje dhe zbatim multisektorial përmes ministrive dhe institucioneve të shumta, sepse është e paimagjinueshme që në shekullin e 21 të ketë ende vendbanime që nuk kanë infrastrukturë bazë. Ndër to është edhe Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor, dhe sigurimi i këtyre nevojave elementare të qytetarëve ndikon drejtpërdrejt në mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe shëndetin e qytetarëve.

Punojmë sistematikisht dhe në mënyrë afatgjate për të përmirësuar cilësinë e ajrit.

Në prag të sezonit të ngrohjes, kemi bërë përpjekje intensive në krijimin e masave afatshkurtra të përshtatshme dhe të zbatueshme për uljen e ndotjes së ajrit gjatë gjithë sezonit si periudhë e vitit kur rregullisht përballemi me përqendrime të shtuara të substancave ndotëse. Me propozim të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe të Planifikimit Hapësinor, Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi Plan Veprimi me masa afatshkurtra për reduktimin e emetimeve të substancave ndotëse. Kemi bërë progres të dukshëm me hartimin e një Urdhri për ndërmarrjen e masave për uljen e shkarkimeve të substancave ndotëse në tejkalimin e pragut të informimit, me çka masat dhe rekomandimet e mëparshme janë ngritur në një nivel më të lartë dhe të detyrueshëm. Gjithashtu, në përgatitje është protokoll për informim kur tejkalohet pragu i alarmimit, në të cilin janë përcaktuar qartë format e institucioneve të përfshira për trajtimin dhe raportimin.

Gjithashtu, MMJPH mirëmban në vazhdimësi Sistemin Shtetëror të Monitorimit Automatik të Cilësisë së Ajrit, i cili përfshin 21 stacione monitorimi dhe një të lëvizshëm të shpërndarë në të gjithë vendin. Gjatë vitit 2024 është zbatuar procedurë për blerjen e pjesëve rezervë në vlerë prej 3.594.280,00 denarë për nevojat e Sistemit Shtetëror për Monitorim Automatik të Cilësisë së Ajrit, me të cilin do të mundësohet servisimi i një pjese të instrumenteve matëse jofunksionale. Servisimi dhe kalibrimi i instrumenteve, si proces i ndërlikuar që kërkon shumë kohë, zbatohet vazhdimisht. Gjithashtu, buxheti për vitin 2025 parasheh mjete për blerjen e stacionit të ri monitorues, i cili do të vendoset në Shtip, e që do e finalizojë procesin e zgjerimit të Sistemit Shtetëror të Monitorimit.

Megjithatë, për sigurimin e ajrit të pastër nuk disponohen vetëm mjete nga buxheti i MMJPH-së dhe ministrive të tjera. Një pjesë e madhe e fondeve sigurohen përmes donatorëve ndërkombëtarë dhe BE-së.

Në zbatim e sipër është projekti i BE-së për ajër të pastër, në të cilin delegacioni evropian në vendin tonë investon 10 milionë euro për 4 qytete të vendit që në periudhën e kaluar shënuan kërcime më të mëdha të koncentrimit të ajrit të ndotur: Shkupi, Kumanova, Tetova dhe Manastiri. Me këtë projekt do të punohet në zvogëlimin e ndotjes nga sistemet e ngrohjes me zëvendësimin e kaldajave të vjetra dhe joefikase në 70 institucione publike, qytetit të Shkupit do t'i dhurohen 6 autobusë ekologjikë, do të mbillen 6000 pemë, do të mbështesë krijimin e parakushteve për zgjerimin e ngrohjes qendrore në Shkup me përgatitjen e Studimit dhe prokurimin e instrumenteve për analizën e metaleve të rënda në koncentrimet e grimcave PM për laboratorin qendror.

Në vazhdim e sipër është edhe projekti në bashkëpunim me UNDP-në, në të cilin janë investuar 2.5 milionë dollarë amerikanë për përgatitjen e studimeve për proporcion të burimeve të ndotjes në komunat e përmendura dhe përditësimin e planeve lokale për ballafaqim me ndotjen e ajrit në 5 komuna: Strumicë. , Kumanovë, Kavadar, Gostivar dhe Strugë.

Gjithashtu, kemi derdhje të madhe të burimeve financiare për realizimin e prioriteteve të tjera, si ngritja e një sistemi rajonal të menaxhimit të mbeturinave, zgjidhja e ndotjes historike, mbrojtja e natyrës dhe biodiversitetit etj.

Nga këtu nuk mund të bëhet fjalë për angazhim të pamjaftueshëm të shtetit në këtë sektor. Nga ana tjetër, mbrojtja e mjedisit nuk kërkon vetëm financa, por kërkon edhe ndërgjegjësim dhe qëndrim shumë të përgjegjshëm të të gjithëve. Ne punojmë me zell me të gjitha burimet në dispozicion.

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe e Planifikimit Hapësinor

_________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

Foto: MIA arkiv

QËNDRONI TË LIDHUR