• e martë, 24 dhjetor 2024

ITSHKSH organizoi Akademi solemne në shenjë të ruajtjes dhe zhvillimit të ABC-së shqipe

ITSHKSH organizoi Akademi solemne në shenjë të ruajtjes dhe zhvillimit të ABC-së shqipe

Shkup, 22 nëntor 2024

Sot në Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, në prani të autoriteteve të larta qeveritare dhe të korit diplomatik, u shënua 116 vjetori i Kongresit të Manastirit me një Akademi solemne, organizuar në kuadër të manifestimit kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve me një fjalë përshëndetëse, drejtori i ITSHKSH-së, Prof.dr. Skender Asani, tha se tani,116 viteve pas Kongresit të Manastirit, kur gjuha shqipe është konsoliduar dhe standardizuar brenda kodeve të komunikimit dhe interaktivitetit publik, na mbetet edhe shumë punë për të bërë që kjo gjuhë të gjejë vendin e vet në kushtet kur bota gjithnjë e më tepër po shkon drejt globalizmit dhe digjitalizimit. Andaj, tha Asani, nevojitet krijimi i një mekanzimi efikas mbrojës të gjuhës shqipe nga kërcënimi i gjuhëve të përhapura botërisht

“Sot, kur po kremtojmë një festë të dyfishtë - 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 17 vjetorin e themelimit të ITSHKSH-së, do të donim që e ardhmja e gjuhës shqipe të jetë ngusht e lidhur me synimet tona të përbashkëta për një ardhmëri euro-atlantike. Uroj që mbi këtë ardhmëti t’i ndërtojmë edhe fatet tona individuale dhe kolektive!”, nënvizoi drejtori Asani.

Ndërkaq, në fjalën e tij përshëndetëse, Zv. Kryeministri i parë në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, pasi përgëzoi ITSHKSH-në në etablimin e suksesshëm disavjeçar në përpjekjet për të afirmuar dhe avancuar gjuhën shqipe, vuri në dukje se politikat e mirëfillta institucionale janë të domosdoshme për ruatjen e gjuhës dhe të identitetit kombëtar.

“Nocioni i identitetit në shek.XXI është aq aktual sa në shek. XIX. Të flasësh për identitet shqiptar, si përbërës të identetit europian, është e pamundur të mos flasësh për gjuhën e tij. Që një popull të jetojë, nevijitet homogjenizimi i memories kolektive me dëshmi të shkruara që i mbijetojnë kohës. Këto dëshmi kodifikohen me elementet themelore, gjuha dhe alfabeti. Për të ruajtur këtë gjuhë nga i ashtuquajturi imperalizëm gjuhësor, duhen përpjekje për të ruajtur gjuhën dhe identitetin tonë kombëtar me politika të mirëfillta institucionale”, nënvizoi Mexhiti.

Duke iu bashkangjitur kësaj feste të dyfishtë, Ivanka Vasilevska - Kryetare e Komisionit për Arsim dhe Shkencë në Kuvendin e RMV, theksoi se ITSHKSH, si një prej institucioneve më të rëndsishme në vend, është model i mirë i simbiozës së vlerave dhe të arriturave shkencore e humane. Ajo në vazhdim vuri në dukje se diversiteti kulturor i Maqedonisë dhe zhvillimi i marrëdhënieve të ndërsjella është jashtëzakonisht i rëndësishëm për zhvillimin e përgjithshëm të mendimit shkencor dhe është një kontribut i fuqishëm për forcimin e respektit dhe promovimin e bashkëjetesës multietnike. Në përmbyllje të fjalës së saj, Vasilevska, në emër të Kuvendit të RMV dhe të qytetarëve maqedonas uroi 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 17 vjetorin e themelimit të ITSHKSH-së.

Kongresi i Manastirit të kujton angazhimin dhe guximi e atyre që ndërtuan themelet e identitetit tonë kulturor, ndërsa themelimi i ITSHKSH-së përfaqsëson vijimësinë e vizionit për zhvillimin e trashëgimisë sonë kombëtare, Ambasadori i Shqipërisë në RVM, Denion Meidani.

“Jam, thellësisht i impresonuar nga puna e Institutit tuaj i drejtuar nga Skender Asani, një njohës i thellë i trashëgimisë sonë kulturore, i cili bashkë me studiuesit tjerë vazhdon ta ruaj dhe studioj këtë trashëgimi të vyer kulturore”, u shpreh ambasadori Meidani, i cili fjalën e tij përshëndetëse e mbylli me vargjet emblematike të Gjergj Fishtës: “Porsi kanga e zogut t'verës, qi vallzon n'blerim të prillit; porsi i ambli flladi i erës, qi lmon gjit e drandofillit; porsi vala e bregut t'detit, porsi gjâma e rrfès zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, ngjashtu â' gjuha e jonë shqyptare.”

Në vazhdim, përfaqësuesja e Ambasadës së ShBA, zonj.Kelly Mc.Caleb, të pranishmëve iu drejtua në gjuhën shqipe, me ç’rast uroi 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 17 vjetorin e themelimit të ITSHKSH-së, me të cilin, siç tha ajo, kemi një bashkëpunim të shkëlqyer. “Prandaj përgëzoi drejtorin Asani dhe stafin e Institutit për të gjitha arriturat e deritanishme, që janë edhe garancë për vazhdimin e partneritetit tonë”, vuri në dukje diplomatja amerikane zonj.Kelly Mc.Caleb.

Përpos përfaqësueses së Ambasadës Amerikane, në këtë Akademi solemne ishin edhe Ambasadori i Francës, Christophe de Rigoleur, Ambasadorja e Gjermanisë - Petra Drexler, Ambasadori i Çekisë - Jaroslav Ludva, përfaqësuesi i Ambasadës së Austrisë, Mathias Humenberg, të cilët i uruan drejtorit Asani 116 vjetorin e Kongresit të Manastirit dhe 17 vjetorin e themelimit të ITSHKSH-së, duke shprehur me këtë rast gatishmërinë për një bashkëpunim të vazhdueshëm me këtë institucion.

Promotori i një partneriteti vëllazëror me ITSHKSH-në është edhe Ardit Bido, drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, i cili në fjalën etij nënvizoi se Kongresi i Manastirit shpalosi disa simbolika, që përputhen me vlerat europiane.

“Së pari, simbolikën e kompromisit. Kishte disa alfabete. Rexhep Voka nga Maqedonia e Veriut, shkruante në alfabetin e shqipes bazuar mbi gërma arabe. Kryepeshkopi i Shkupit, Lazër Mjeda shkruante në alfabet tërësisht latin. Ishte Josif Bagëri, i cili shkruante në një alfabet me bazë cirilike. Doktor Kristidhi nga Manastiri shkruante me njëalfabet me bazë në gjuhën greke. Gjerasim Qiriazi, themelues i protestantizmit të shqiptarëve, shkruante në alfabetin e Stambollit. Kishim alfabetin e Anonimit të Elbasanit, alfabetin e Naum Veqilharxhit etj. U zgjodh që të ishin vetëm 2 prej tyre, prej kompromisit mes njerëzve që arritën të mblidheshin dhe të binin dakord për unitetin e identitetin kombëtar. Pavarësisht se zgjodhën një alfabet, e dinin se njëri prej tyre do të triumfonte. Elementi i tretë është barazia dhe gjithëpërfshirja. Kemi përfaqësues nga mbarë trevat, fetë dhe nga të dyja gjinitë”, u shpreh Bido.

Në përmbyllje të kësaj akademie solemne, me një fjalë përshëndetëse u paraqit edhe Fatmir Limani, ministër i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, i cili foli për rëndësinë e gjuhës amtare që nga lindja dhe zhvillimi i njeriut, por edhe si mjet për t’u marrë vesh edhe me ata që ke pasur konflikt. Ai potencoi edhe rëndësinë e njohjes së gjuhëve të tjera, si urë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.

ITSHKSH

______________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________________

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit. 

QËNDRONI TË LIDHUR