• e martë, 13 gusht 2024

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë akuza për zjarrin në centralin e okupuar bërthamor Zaporozhje

Ukraina dhe Rusia shkëmbejnë akuza për zjarrin në centralin e okupuar bërthamor Zaporozhje

Kiev, 12 gusht 2024 (MIA) - Moska dhe Kievi dje akuzuan njëra-tjetrën për shkaktimin e zjarrit në zonën e centralit bërthamor të Zaporozhjes, i cili ishte okupuar nga rusët. Ukraina u ka bërë thirrje banorëve të jenë të qetë dhe raportoi se nuk ka shenja të rritjes së rrezatimit, ndërsa zjarri është shuar ndërkohë.

Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore e Kombeve të Bashkuara (ANEB), e cila ka prani në objektin e madh me gjashtë reaktorë, njoftoi se ekspertët e saj kanë parë tym të dendur dhe të errët që vinte nga pjesa veriore e uzinës në Ukrainën jugore pas shpërthimeve të shumta.

Presidenti ukrainas Volodimir Zelenski e akuzoi Rusinë se ka ndezur zjarrin, për të cilin thuhet se ishte i dukshëm nga qyteti i Nikopolit i kontrolluar nga Kievi, i cili ka pamje nga centrali i kontrolluar nga Rusia.

Evgenij Balicki, zyrtar rus në jugun e pushtuar i akuzoi forcat e Kievit se kanë ndezur zjarr duke bombarduar qytetin aty pranë Enerhodar, i cili u pushtua nga Rusia menjëherë pas pushtimit të saj në shkurt të vitit 2022.

ANEB deklaroi se nuk kishte asnjë ndikim të raportuar në sigurinë bërthamore të zonës.

"Centrali bërthamorë sot  njoftoi ekipin për një sulm të supozuar me dron në një nga kullat për ftohje të vendosura në vend", kanë shkruar ata në "X". 

Udhëheqësia e objektit rus njoftoi se shërbimet e urgjencës e kishin vënë zjarrin nën kontroll dhe se nuk kishte rrezik për përhapje të mëtejshme.

Gjashtë reaktorë në centralin pranë vijës së frontit në Ukrainë nuk punojnë, por centrali mbështetet në fuqinë e jashtme për të mbajtur të freskët materialin bërthamor dhe për të parandaluar një aksident katastrofik.

Kompania bërthamore ukrainase Energoatom në Telegram njoftoi se ishte dëmtuar një nga kullat e saj ftohëse (e cila nuk funksionon), si dhe pajisje të tjera. qa/

Foto: "X"

QËNDRONI TË LIDHUR