• e mërkurë, 27 nëntor 2024

Shtëpi të djegura, qytetarë të evakuuar - situata me zjarrin në pjesën verilindore të Atikës veçanërisht e vështirë

Shtëpi të djegura, qytetarë të evakuuar - situata me zjarrin në pjesën verilindore të Atikës veçanërisht e vështirë

Athinë, 12 gusht 2024 (MIA) - Zjarri në pjesën verilindore të rajonit Atika, rajoni më i gjerë i Athinës edhe më tutje është jashtë kontrolli, një numër i madh i shtëpive u dogjën në lagje të ndryshme, janë evakuuar një varg vendbanimesh dhe një spital, ndërsa forcat zjarrfikëse vazhdojnë me betejën me stihinë e zjarrit që mori përmasa të mëdha, informon korrespondentja e MIA-s nga Athina. 

Zëdhënësi i shërbimit zjarrfikës të Greqisë, Vasilis Vatrakojanis, sot pasdite duke informuar për zjarrin tha se "situata mbetet jashtëzakonisht e vështirë", se vazhdimisht ka zjarre dhe vatra të reja të cilat "përhapen shpejtë, të ndihmuara nga erërat shumë të fuqishme". 

Sqaroi se po intervenojnë 702 zjarrfikës me 27 ekipe këmbësorie dhe 199 automjete, si dhe një numër i madh i vullnetarëve, ndërsa nga ajri shuarja bëhet me 35 mjete, gjegjësisht 17 aeroplanë dhe 18 helikopterë, prej të cilëve tre janë për koordinim të tyre. 

Nga numri për raste urgjente 112 deri më tani janë dërguar 30 porosi për evakuim të qytetarëve të cilët janë në zonat e rrezikuara, ndërsa pasdite, në mënyrë parandaluese ishte evakuuar edhe spitali i përgjithshëm. 

Vëllimi i dëmit të shkaktuar material është i madh dhe do të konfirmohet më tutje, stihitë e zjarrit gëlltitën shtëpi, automobilë, u dogj edhe një automjet zkarrfikës, ndërsa lehtë është lënduar një zjarrfikës. 

Për shkak të erës së fuqishme zjarri përhapet me shpejtësi të madhe dhe pasdite arriti edhe te mjediset urbane, gjegjësisht në lagjet në pjesën veriore të Athinës. 

Sipas Observatorit Kombëtar në Athinë dhe portalit Meteo, vlerësimet janë se deri në orën 12:20 sot janë djegur rreth 10.000 hektarë sipërfaqe.

Për përballje me zjarret, siç njoftoi më parë MIA, Franca, Italia dhe Çekia, po dërgojnë ndihmë në Greqi përmes Mekanizmit Evropian për Mbrojtje Civile. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR