Trampi: Do të vazhdoj të luftoj për paqe në Ukrainë
- – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se do të vazhdojë të angazhohet për arritjen e zgjidhjes paqësore ndërmjet Moskës dhe Kievit, edhe krahas dyshimeve të rritura për mundësinë për bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit ukrainas Volodomir Zelenski në të ardhmen e afërt.
- Post By Fitore Curri
- 10:11, 4 shtator, 2025
Uashington, 4 shtator 2025 (MIA) – Presidenti amerikan Donald Tramp deklaroi se do të vazhdojë të angazhohet për arritjen e zgjidhjes paqësore ndërmjet Moskës dhe Kievit, edhe krahas dyshimeve të rritura për mundësinë për bisedime të drejtpërdrejta ndërmjet presidentit rus Vladimir Putin dhe liderit ukrainas Volodomir Zelenski në të ardhmen e afërt.
“Diçka do të ndodhë, por ata (Putini dhe Zelenski) ende nuk janë të gatshëm për këtë. Por, diçka definitivisht do të ndodhë. Ne kemi për qëllim ta mundësojmë këtë”, tha Trampi në intervistë për televizionin “Si-Bi-Es Njuz”.
Trampi dje paralajmëroi se në ditët e ardhshme planifikon të marrë pjesë në bisedime për luftën, pas takimit të pasuksesshëm me Putinin në Alaskë.
Sipas një përfaqësuesi zyrtar të Shtëpisë së Bardhë, pritet që Trampi sot përmes telefonit të bisedojë me Zelenskin.
Nga ana tjetër, Putini deklaroi dje se është i gatshëm të takohet me Zelenskin nëse lideri ukrainas vjen në Moskë, por theksoi se një takim i tillë duhet të përgatitet me kujdes dhe të sjellë rezultate konkrete. Ministri ukrainas i punëve të jashtme e hodhi poshtë mundësinë për bisedime në kryeqytetin rus.
Trampi në intervistë për Si-Bi-Es shprehu keqardhje për “masakrën” ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, duke shtuar se do të vazhdojë të luftojë për zgjidhje paqësore. “Mendoj se do të arrijmë t’i tejkalojmë të gjitha dallimet. Sinqerisht, mendova se do të jetë më lehtë që të merrem vesh me palën ruse se sa me të tjerët, por gjërat me ata u treguan pak më të komplikuara”, tha ai.
Presidenti amerikan shprehu pakënaqësi që nuk mund t’i ndërpresë luftërat në Ukrainë, të cilat filluan me pushtimin rus në shkurt të vitit 2022. Fillimisht, ai parashikonte se do ta ndërpresë luftën menjëherë pas hyrjes në fuqi në janar.
Duke i komentuar xhirimet e djeshme nga prania e përbashkët e Putinit, presidentit kinez Si Xhinping dhe liderit koreanoverior Kim Xhong – un në paradën në Pekin, Trampi theksoi se ka “marrëdhënie të mira” me çdonjërin prej tyre. “E kuptoj pse e bënë këtë. Donin të shoh, dhe unë pashë. Marrëdhëniet me të gjithë ata i kam shumë të mira. Në dy javët e ardhshme do të shohim deri në cilën shkallë janë me të vërtetë të mira”, shtoi ai.
Trampi theksoi se nuk synon Çmimin Nobel për Paqe, por vetëm t’i japë fund gjakderdhjeve në botë. “Nuk luftoj për çmime, por që të ndalen konfliktet”, përfundoi presidenti amerikan. fc/
Foto: Arkivi