• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Taravari: Nuk di për keqkuptimet e Kosovës dhe SHBA-së, relacionet tona me të gjitha ambasadat janë fantastike

Taravari: Nuk di për keqkuptimet e Kosovës dhe SHBA-së, relacionet  tona me të gjitha ambasadat janë fantastike

Shkup, 18 mars 2024 (MIA) - Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, kandidat për president të opozitës shqiptare, Arben Taravari, sot deklaroi se keqkuptimet e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti me Uashingtonin nuk do të ndikojnë në marrëdhëniet e tyre me SHBA-në.

Në pyetjen e gazetarëve lidhur me deklaratën e diplomatit të lartë amerikan, Gabriel Eskobar, i cili shptehu  zhgënjim nga qeveria e Kurtit në Kosovë dhe tha se në Evropë janë shumë të zhgënjyer, gjegjësisht si do të ndikojë ai zhgënjim tek opozita shqiptare, Taravari u përgjigj se relacionet e tyre me të gjitha ambasadat janë, siç e quajti ai, “fantastike”.

"Ne kemi relcione fantastike me të gjitha ambasadat e të gjitha shteteve që janë në Maqedoni. Do të vazhdojmë që të tilla të jenë relacionet  tona. Ajo se çfarë janë keqëkuptimet në Kosovë, unë nuk e di. Megjithatë, z. Kurti ka një ndikim të madh në Maqedoni, ai është një prototip i një politikani, i sinqertë dhe i pakorruptuar, nëse ka një të tillë në Ballkanin Perëndimor, mendoj se Kurti është shembulli më i mirë për këtë", tha Taravari. 

Sa i përket  akuzave se opozita shqiptare është nën ndikimin rus, Taravari u përgjigj se akuzat janë të palogjikshme.

"Nëse ka dikush që është afër Serbisë, konkretisht deri te partitë shqiptare, mendo se BDI-ja është më e afërt nga të gjithë. Asnjë parti tjetër shqiptare nuk besoj se ka ndonjë lidhje me Serbinë. Kështu që, këto pretendime janë të pabaza dhe të palogjikshme", tha Taravari.

Taravari beson se, siç tha, “BDI-ja duket mjaft nervoze dhe e shqetësuar” dhe shtoi se mendon se do t'i humbin zgjedhjet për herë të parë që nga viti 2002.

Në konferencën e sotme, Taravari njoftoi se do të organizojë tribunë me temën e parandalimit të dëbimit të shtunën në ora 12 në Komunën e Tetovës, në të cilën ftoi të gjithë kandidatët për president. qa

Foto: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR