Stano: Vërejtjet e Putinit nuk do ta ndryshojnë qëndrimin e BE-së për mbështetjen e Ukrainës
- – Çka do që të deklarojë presidenti rus Vladimir Putin, kjo nuk do ta ndryshojë pozitën e BE-së për mbështetje të Ukrainës, deklaroi sot krye zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano.
- Post By Fitore Curri
- 14:28, 13 shtator, 2024
Bruksel, 13 shtator 2024 (MIA) – Çka do që të deklarojë presidenti rus Vladimir Putin, kjo nuk do ta ndryshojë pozitën e BE-së për mbështetje të Ukrainës, deklaroi sot krye zëdhënësi i Komisionit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Peter Stano.
“Putini vazhdimisht bën komente armiqësore pavarësisht se ai filloi luftën kundër Ukrainës dhe në këtë mënyrë sulmoi të gjitha demokracitë moderne evropiane dhe perëndimore. Ai jo vetëm që po sulmon Ukrainën, ai po sulmon parimet e vlerave në të cilat ne besojmë, duke sulmuar ligjin ndërkombëtar dhe duke sulmuar botën e bazuar në rregulla, në kundërshtim me Kartën e KB-së. Ai filloi luftë kundër të gjithë neve”, theksoi Stano në përgjigje të pyetjes së gazetarëve nëse është e mundur të ndryshohet qëndrimi i BE-së ndaj Kievit pas deklaratës së Putinit se nëse Perëndimi lejon Ukrainën të sulmojë me raketat e tyre me rreze të gjatë veprimi në territorin rus kjo do të thotë se “vendet e NATO-s janë në luftë me Rusinë”.
Stano theksoi se asgjë nuk do ta ndryshojë pozicionin e BE-së për mbështetje të Ukrainës e cila lufton me guxim kundër pushtimit dhe paguan çmim të lartë për këtë.
“Derisa zgjat agresioni ilegal ndaj popullit ukrainas, ne do të vazhdojmë ta mbështesim Ukrainën, duke përfshirë edhe me mbështetje ushtarake”, shtoi Stano.
Sipas tij, qëndrimi i disa vendeve anëtare të BE-së për heqjen e ndalesës për përdorimin e armës të cilën ata ia kanë dhuruar Ukrainës për sulme ndaj territorit rus është vendim individual i çdo shteti.
“Vërejtjet e Putinit nuk do ta ndryshojnë pozicionin tonë derisa ai e vazhdon agresionin e tij ilegal ndaj Ukrainës, duke na sulmuar, gjithashtu, edhe neve në pjesën perëndimore demokratike të botës”, përfundoi Stano.
Putini deklaroi dje se nëse Perëndimi i lejon Ukrainës sulme ndaj territorit rus me raketat me rreze të gjatë veprimi të cilat ata edhe ia kanë dhuruar, kjo do të nënkuptonte se “vendet anëtare të NATO-s janë në luftë me Rusinë”.
“Nëse merret ky vendim, kjo do të nënkuptonte përfshirje të drejtpërdrejtë të vendeve të NATO-s në luftën në Ukrainë dhe kjo do ta ndryshonte natyrën e konfliktit”, theksoi Putini. fc/.
Fotografia: Arkivi i MIA-s