Situatë dramatike me zjarret në Shqipëri, fshatra të mbuluara nga hiri, dy viktima dhe disa të lënduar
- – Nga Gramshi, ku me kujdes i ndjek operacionet për shuarjen e zjarreve të cilat e kapluan këtë zonë, dhe të cilat janë jashtë çdo kontrolli, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, për mediat tha se “situata është dinamike në mbarë vendin”.
- Post By Fitore Curri
- 21:22, 12 gusht, 2025
Tiranë, 12 gusht 2025 (MIA) – Nga Gramshi, ku me kujdes i ndjek operacionet për shuarjen e zjarreve të cilat e kapluan këtë zonë, dhe të cilat janë jashtë çdo kontrolli, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, për mediat tha se “situata është dinamike në mbarë vendin”.
Sipas tij po bëhet evakuim i banorëve nga shumë fshatra në Gramsh dhe Puliçan, prej ku deri më tani janë evakuuar mbi 300 persona.
"Jeta e tyre është prioriteti ynë. Forcat lokale dhe forcat e armatosura do të vazhdojnë të shuajnë zjarrin, siç kanë bërë gjatë gjithë këtyre ditëve. Kemi 1.300 zjarrfikës lokalë, mbi 1.000 forca të ushtrisë të vendosura në të gjithë vendin. Vetëm në zonën e Gramshit, katër helikopterë po e shuajnë zjarrin nga ajri", tha Vengu.
E vështirë është situata edhe në Tepelenë, Finiq, Delvinë, Dropul ku flakët e zjarrit po ju afrohen vendbanimeve.
“Fshatrat Kulolas, Bletez, Menkolar dhe Shimar, në afërsi të Gramshit, banorët e të cilëve ishin evakuuar më parë, janë bërë hi plotësisht. Në spitalin e Gramshit ndodhet edhe kreu i Shërbimit Kombëtar të Emergjencave, Skender Brataj, i cili tha se dy persona humbën jetën dhe tetë u lënduan. Një ekip i ndihmës së shpejtë dhe zjarrfikës po përpiqen të shpëtojnë një grua dhe dy fëmijë që janë të rrethuar nga zjarri, gjë që e bën të vështirë ndërhyrjen”, raportuan mediat.
Thirrje që t’i dëgjojnë porositë e kompetentëve dhe të bashkëpunojnë me ata deri te banorët dërgoi edhe shefi i shtetit, Bajram Begaj.
"I ftoj të gjithë qytetarët, veçanërisht banorët e bashkisë Gramsh, ku situata është më kritike, të bashkëpunojnë dhe të kontribuojnë krah për krah me strukturat e emergjencave civile, zjarrfikësit, forcat e armatosura dhe policinë, të cilët punojnë dhe sakrifikojnë për të mbrojtur jetën dhe pronën", apeloi presidenti. fc/
Foto: Ministria e Mbrojtjes