• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Shkupi: Asnjë tifoz i yni të mos udhëtojë në Sofje

Shkupi: Asnjë tifoz i yni të mos udhëtojë në Sofje

Shkup, 31 korrik 2023 (MIA) - Përfaqësuesi nga Maqedonia e Veriut në Ligën e Konferencës Shkupi sonte ka njoftuar se nuk do të organizojë karvanin e tifozëve për ndeshjen e kthimit në Sofje kundër Levskit dhe po ashtu u bëri thirrje tifozëve të tij që të mos udhëtojnë me vetëiniciativë të enjten për ndeshjen në Bullgari.

Vendimi, siç është bërë e ditur vjen pas takimit të sotëm në Shkup mes përfaqësuesve të Ministrisë së Punëve të Brendshme, UEFA-s dhe klubit Shkupi.

"Sot gjatë ditës është mbajtur një takim mes zyrtarëve të klubit tonë, përfaqësuesve të UEFA-s dhe pjesëtarëve të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku edhe një herë është konfirmuar se nuk do të ketë dhe nuk do të lejohet udhëtim i tifozëve tanë për në Sofje të Bullgarisë për ndeshjen e kthimit që luhet kundër ekipit të PFC Levskit", bëri të ditur klubi Shkupi.

Klubi i futbollit njoftoi se "ky lajm i është kumtuar edhe kryesisë së tifo grupit Shvercerat".

"Në këtë takim mes tjerash është thënë se nuk do të lejohet asnjë tifoz i vendit tonë edhe nëse do të ketë biletë për ndeshjen e dytë të raundit të dytë të Ligës së Konferencës, kundër PFC Levskit. Në hyrje do të kërkohet dokument identifikimi, ndërsa nuk do të ketë asnjë sektor të ndarë për tifozët mysafir. Ky lajm i është kumtuar edhe kryesisë së tifo grupit 'Shvercerat', të cilët tani më janë në dijeni se udhëtimi nuk do të jetë i mundur. Andaj edhe një herë si klub apelojmë që të mos udhëtohet në asnjë mënyrë drejt Sofje", bëhet e ditur në njoftimin e klubit.

Vendimi për të luajtur pa tifozë në ndeshjen e kthimit mes Levskit dhe Shkupit në xhiron e dytë të Ligës së Konferencës vjen pas incidenteve që ndodhën në ndeshjen e parë në Shkup, ku mbërritën rreth 900 tifozë të klubit bullgar.

Policia e Maqedonisë së Veriut ka arrestuar 21 persona, prej të cilëve 19 tifozë bullgarë, për prishjen e rendit dhe qetësisë publike, ndërsa një tifoz i Levskit ishte therrë me thikë në një incident në Çair.

Shtetasi bullgar i lënduar ende është i hospitalizuar në Shkup dhe është jashtë rrezikut për jetë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR