• e shtunë, 23 nëntor 2024

Samit special i BE-së, në fokus Lindja e Mesme dhe tregu i vetëm evropian

Samit special i BE-së, në fokus Lindja e Mesme dhe tregu i vetëm evropian

Bruksel, 17 prill 2024 (MIA) - Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme, gjendja me ekonominë dhe konkurrencën e BE-së, zhvillimet në Ukrainë dhe marrëdhëniet e Unionit me Turqinë do të jenë temat e takimit special të Këshillit Evropian që do të mbahet sot dhe nesër në Bruksel.

Temë kryesore e Këshillit special të BE-së duhet të jenë situatat me konkurrencën dhe tregun e vetëm evropian, por sulmet iraniane me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, si temë urgjente e këtij takimi të shefave të shteteve apo qeverive të anëtarëve të Unionit, “imponuan zhvillimin e fundit të ngjarjeve në Lindjen e Mesme”.

Në prag të Samitit të sotëm, dje u mbajt seancë e jashtëzakonshme e Këshillit për punë të jashtme të BE-së, në të cilën shefat e diplomacisë së anëtarëve të Unionit u bënë thirrje të gjitha palëve në Lindjen e Mesme të dëshmojnë përmbajtje dhe të mos lejojnë që rajoni të futet në një luftë totale.

BE-ja edhe një herë i dënoi sulmet iraniane ndaj Izraelit, duke i vlerësuar ato si një "përshkallëzim të paprecedentë dhe kërcënim për sigurinë rajonale".

"Në këtë situatë të tensionuar rajonale, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtjen më të madhe dhe shpreh përkushtimin e saj të plotë për të kontribuar në depërshkallëzimin dhe sigurinë e rajonit. Për këtë qëllim, BE-ja është në kontakt me të gjitha palët", thekson Unioni në reagimin ndaj sulmeve.

Përveç sulmeve iraniane, liderët e BE-së do të diskutojnë edhe mbi zhvillimet në Gazë pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit tetorin e kaluar me çka pritet të përsërisin qëndrimin e tyre për një pauzë urgjente humanitare që çon në armëpushim të qëndrueshëm, si lirimin e pakushtëzuar të pengjeve dhe dërgimin e ndihmës humanitare për popullatën civile në Rripin e Gazës.

Në këtë kontekst, pritet që liderët të diskutojnë për forcimin e bazës ekonomike, prodhuese, industriale dhe teknike evropiane, mundësitë e ndërtimit të një ekonomie klimatike neutrale, digjitale dhe qarkulluese, gjendjen e tregjeve të kapitalit si dhe zhvillimin e një bujqësie konkurruese, të qëndrueshme dhe fleksibile.

Para liderëve, kryetari i Institutit “Zhak Delor” dhe ish kryeministër italian Enriko Leta duhet të paraqesë raportin e pavarur të ekspertëve për të ardhmen e tregut të përbashkët evropian.

Sipas paralajmërimeve, dokumenti do të rekomandojë forcimin e dimensioneve të tregut të përbashkët në pjesën e shërbimeve financiare, energjisë dhe komunikimeve elektronike, ndërsa do të theksohet se "arsyeja kryesore e rënies së konkurrencës" është situata në sektorin e telekomunikacionit ku dominon  “fokusi kombëtar” dhe për këtë arsye “duhet të evoluojë drejt një dimensioni evropian” në mënyrë që të jetë konkurrues me kompanitë nga SHBA, Kina apo India.

Liderët e Samitit do të diskutojnë edhe mbi zhvillimet e fundit në Ukrainë në kontekst të intensifikimit të sulmeve ajrore dhe raketore ruse ndaj civilëve ukrainas dhe infrastrukturës kritike, si dhe do të zhvillojnë debat strategjik për marrëdhëniet BE-Turqi në bazë të raportit të Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri Zhosep Borel dhe Komisionit Evropian për gjendjen e marrëdhënieve të ndërsjella politike, ekonomike dhe tregtare.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR