• e enjte, 18 korrik 2024

Ruskovska: Ndodhitë në dy muajt e fundit më motivuan të kandidoj për një mandat të ri

Ruskovska: Ndodhitë në dy muajt e fundit më motivuan të kandidoj për një mandat të ri
Shkup, 21 tetor 2022 (MIA) - Ndodhitë në dy muajt e fundit më motivuan që të dorëzoj kandidaturën për mandat të ri në Prokurorinë Themelore Publike për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit, tha prokurorja publike e suspenduar, Vilma Ruskovska në intervistën e sontme në “Top Tema” në Tv Telma. Ajo në disa raste më parë deklaroi se nuk e ka ndërmend të kandidojë për të njëjtin vend të punës nga ku është larguar përkohësisht pas denoncimit të ish-drejtorit të Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi. “Në disa raste kam deklaruar se nuk e kam ndërmend të kandidoj për vendin e njëjtë të punës dhe kandidatura ime për zëvendësprokuror publik e tregon këtë. Por, për nga natyra jam luftëtare dhe e gjithë ajo që ka ndodhur në dy muajt e fundit më motivon përsëri të aplikoj për të njëjtin vend të punës. Të mos ishte largimi i përkohshëm nga vendi i punës, të mos ishte propozimi për ngritjen e procedurës disiplinore, sigurisht që nuk do të aplikoja më”, theksoi Ruskovska. Shefja e suspenduar e PTHP-së, shtoi se me kandidimin e sërishëm që të jetë në krye të institucionit dëshiron të luftojë që në të ardhmen asnjë kolegut të mos i ndodhë ajo që i ndodhi asaj. Prokurorja Ruskovska e cila përkohësisht është suspenduar nga detyra e shefes së Prokurorisë Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion, ndiqet penalisht si e dyshuar në rastin që e hapi Prokuroria Themelore Publike (PTHP) Shkup, pas kallëzimit penal që ish-drejtori i Drejtorisë së Policisë Financiare, Arafat Muaremi e ngriti ndaj saj dhe kolegeve të saja. Prokurorja dje dha dëshmi në Prokurori, me çka njoftoi se ndiqet penalisht për gjoja keqpërdorim të detyrës zyrtare sipas nenit 353 paragrafi 1 dhe për kinse falsifikim të provave.

QËNDRONI TË LIDHUR