• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Reagim i BDI-së në deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski

Reagim i BDI-së në deklaratën e ministrit të Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski

7 dhjetor 2024

Është ironike dhe e papranueshme që Ministri i Punëve të Brendshme, i cili vazhdimisht ka treguar mungesë të plotë profesionalizmi dhe kredibiliteti, të bëjë akuza pa bazë dhe të përpiqet të devijojë vëmendjen nga dështimet e tij të vazhdueshme. Ky është i njëjti ministër që, një ditë para se të arrestohej një person me aftësi të kufizuara mendore si autor i djegies së makinave në Kumanovë, deklaronte publikisht se kishte "të dhëna operative" për një grup të sofistikuar të organizuar që qëndronte pas sulmit. Si mund të besohet një ministër që ka dëshmuar një paaftësi kaq të theksuar për të trajtuar situata të thjeshta dhe që vazhdimisht shpërndan informacione të pavërteta?

Tani, ky i njëjti ministër guxon të bëjë deklarata të papërgjegjshme duke përfshirë një ish-kryetar komune nga  BDI-së në organizimin e incidenteve të Ditës së Flamurit, pa asnjë provë konkrete, thjesht për të mbuluar dështimet e tij në menaxhimin e sigurisë publike dhe rritjen dramatike të kriminalitetit në vend. Kujtojmë qytetarët se ky ministër do të mbahet mend jo për sigurinë që ka ofruar, por për numrin e bandave që kanë marrë jetë në vend gjatë mandatit të tij.

Qytetarët nuk duhet të mashtrohen nga manipulime të tilla të ulëta. Faktet flasin vetë: ky ministër ka treguar dështim të plotë për të mbrojtur sigurinë e qytetarëve dhe për të ruajtur rendin publik. Ai nuk ka asnjë kredibilitet për të folur për çështje të tilla, aq më tepër për të akuzuar pa bazë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje me këto ngjarje.

Bashkimi Demokratik për Integrim i bën thirrje Ministrit të Punëve të Brendshme që menjëherë të japë dorëheqjen, pasi ka humbur besimin e qytetarëve dhe kredibilitetin për të udhëhequr me përgjegjësi këtë sektor jetik për vendin. Njëkohësisht, kërkojmë që Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut të mbështesë iniciativën e BDI-së për interpelancë ndaj këtij ministri dhe të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbrojtur sigurinë dhe interesat e qytetarëve. 
 

Bashkimi Demokratik për Integrim

________________________________________________________________________________________ 

MIA këto tekste i publikon në formën integrale dhe origjinale dhe nuk mban përgjegjësi për përmbajtjen e tyre dhe as për mangësitë eventuale drejtshkrimore apo gabimet e shtypit.

foto: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR