• e mërkurë, 21 janar 2026

Reagim i BDI-së Dega Çair: Një master-dështim në vend të master-planit

Reagim i BDI-së Dega Çair:  Një master-dështim në vend të master-planit

20 janar 2026

 Gjatë fushatës së zgjedhjeve tetorin e kaluar, kryetari aktual i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti premtoi një master-plan për zhvillimin e Çairit, theksohet në komunikatën e BDI-së dega Çair, të cilën MIA e transmeton në formë integrale.

Në vend të një dokumenti serioz urbanistik, qytetarëve iu prezantua një shfaqje propagandistike.

U soll një “arkitekt turk” me defilé publik dhe pompozitet mediatik.

Më pas, u vërtetua se ai nuk ishte autor i asnjë master-plani strategjik. Rezultoi se bëhej fjalë për një ish-zëvendësshef të urbanizmit në një komunë, i dorëhequr nga funksioni.

Premtimi për master-plan u shndërrua në një dështim total. Sot nuk ekziston as dokument, as vizion, as planifikim urban afatgjatë për Çairin.

Pa master-plan, ndërtimi vazhdon në mënyrë kaotike.
Pa master-plan, interesat private dominojnë mbi interesin publik.
Pa master-plan, Çairi mbetet peng i improvizimeve ditore
Qytetarëve iu premtua zhvillim, por iu ofrua vetëm marketing politik.

Ne pyesim qartë:
- Ku është master-plani i premtuar?
- Ku është dokumenti që duhej ta udhëhiqte zhvillimin e Çairit?
- Ku është përgjegjësia për këtë mashtrim publik?

Çairi nuk ka nevojë për defilé, por për plane reale. Çairi nuk ka nevojë për shfaqje, por për urbanizëm serioz. Kjo qeverisje lokale dështoi në premtimin e saj kryesor.

E vërteta është e thjeshtë: Master-plani me gjithë ato harta të mëdha dhe i promovuar tre muaj më parë, nuk ekziston.
Ajo që ekziston është një master-dështim.

Përfitues ishte vetëm ish-zëvendësshefi i urbanizmit të një komune në Turqi, i cili mori shtetësinë e Maqedonisë së Veriut me procedurë të shpejtë.

QËNDRONI TË LIDHUR