Raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale në Iran
- Në Iran sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballen konservatori Said Xhalili dhe reformisti Masud Pezeshkiani.
- Post By Ajrije Rexhepi
- 09:35, 5 korrik, 2024
Teheran, 5 korrik 2024 (MIA) - Në Iran sot po mbahet raundi i dytë i zgjedhjeve presidenciale, ku do të përballen konservatori Said Xhalili dhe reformisti Masud Pezeshkiani.
Raundi i dytë zhvillohet pasi asnjë nga kandidatët nuk ka siguruar më shumë se 50 për qind të votave në raundin e parë. Pezeshkiani fitoi rreth 42,5 për qind të votave, ndërsa Xhalili 38,7 për qind.
Rreth 61 milionë njerëz kanë të drejtë të votojnë për pasardhës të presidentit Ebrahim Raisi, i cili humbi jetën në rrëzimin e helikopterit në maj.
Pushteti në Iran është në duart e liderit suprem, Ajatollah Hamnei, i cili vepron si shef i shtetit dhe ka fjalën e fundit për të gjitha çështjet strategjike, dhe është gjithashtu komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Iranit, ndërsa presidenti është i dyti në strukturën e pushtetit në Iran.