• e enjte, 26 dhjetor 2024

Rama: Vizita e Blinkenit konfirmon partneritetin strategjik të Shqipërisë me SHBA-në

Rama: Vizita e Blinkenit konfirmon partneritetin strategjik të Shqipërisë me SHBA-në

Tiranë, 10 shkurt 2024 (MIA)- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama deklaroi se vizita e Sekretarit amerikan të shtetit Entoni Blinken në Tiranë konfirmon partneritetin strategjik të Shqipërisë me SHBA-në.

Është paraparë që Blinkeni javën e ardhshme ta vizitojë Tiranën.

Sipas Ramës, vizita e tij madje paraqet një vlerë të veçantë për Shqipërinë.

"Sekretari Blinken në Tiranë do të gjejë një vend aleat të angazhuar për paqen, stabilitetin demokratik dhe bashkëpunimin e gjithanshëm në rajonin tonë. Shqipëria i ka shtrirë dorën e miqësisë të gjithëve në rajon dhe mbështet pa asnjë rezervë përpjekjet e Bashkimit Evropian e të Shteteve të Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Ai do të gjejë një vend të përkushtuar të NATO-s, një anëtar të gatshëm të Aleancës euro-atlantike për të vazhduar investimet e gjithanshme për rritjen e kapaciteteve mbrojtëse në bashkëpunim të ngushtë me Shtetet e Bashkuara. Vendi ynë është në krah të Shteteve të Bashkuara në luftën kundër terrorizmit e në kundërvënien ndaj çdo shëmbëlltyre të totalitarizmit dhe Sekretari i shtetit do ta gjejë Shqipërinë të vendosur pa rezervë në mbështetjen e luftës së Ukrainës mike për lirinë dhe mbijetesën e saj”, ka thënë Rama.

Blinken në Tiranë vjen më datën 15 të këtij muaji dhe sipas paralajmërimeve të deritashme janë planifikuar takime me Ramën dhe kreun e Prokurorisë speciale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, SPAK, Altin Dumani.

Vizita e parë e Sekretarit amerikan të shtetit në Shqipëri ishte ajo e Xhejms Bejkerit më 22 qershor 1991. Më 19 shkurt 2000 në Shqipëri ishte Medlin Ollbrajt e cila iu drejtua Parlamentit. Kolin Pauel ishte në Tiranë më 25 shtator 2003, më 2012 Hillari Klinton dhe Xhon Keri më 14 shkurt 2016.

Pas Shqipërisë, Blinkeni do të udhëtojë për në Munih të Gjermanisë ku do të marrë pjesë në Konferencën për siguri në Munih si pjesë e delegacionit të SHBA-së të kryesuar nga zëvendëspresidentja Kamala Haris.

Foto: Fejsbuk

 

QËNDRONI TË LIDHUR