• e hënë, 30 shtator 2024

QKC: Në prokurimet shpesh ka korrupsion, konsiderojnë 41 për qind e njerëzve nga institucionet e përfshira në prokurimet publike

QKC: Në prokurimet shpesh ka korrupsion, konsiderojnë 41 për qind e njerëzve nga institucionet e përfshira në prokurimet publike

Shkup, 30 shtator 2024 (MIA) - Dyzet e një për qind e personave të ngarkuar me prokurimet publike nga institucionet shtetërore besojnë se shpesh ka korrupsion në prokurimet. Shumica prej tyre thonë se korrupsioni është më i përhapur si rezultat i interesave politike dhe se kompanitë janë gjenerues më i madh i korrupsionit sesa njerëzit në institucione, tregojnë gjetjet e hulumtimit të kryer nga Qendra për komunikime civile. 

Analizat e Qendrës tregojnë gjithashtu se 51 për qind e kompanive që marrin pjesë në prokurimet publike konsiderojnë se në prokurimet ka korrupsion, ndërsa me te personalisht janë përballur 23 për qind e kompanive të përfshira në hulumtimin. 

 "Prokurimet publike në vitin 2023 arritën një vlerë rekord të lartë dhe një konkurrencë të ulët rekord në 10 vitet e fundit. Janë lidhur kontrata për prokurim publik në vlerë të përgjithshme prej 1,5 miliardë euro, që është 35 për qind më shumë se një vit më parë. Sipas monitorimit të prokurimeve publike, numri mesatar i ofertave për tender ishte 2,7. Në një të tretën e tenderëve është marrë vetëm një ofertë. Mungesa e konkurrencës është pasojë e favorizimit të dokumenteve të tenderit dhe humbjes së besimit të sektorit të biznesit në konkurrencë të ndershme të prokurimit", thuhet në kumtesën e sotme të Qendrës për komunikime civile. 

Sipas Qendrës, Indeksi i racionalitetit zbulon dallime të mëdha në çmimet me të cilat institucionet blejnë të njëjtat produkte dhe shërbime. Kështu, për shembull, të njëjtat licenca për softuer kompjuterik blihen me çmime nga 6.185 deri në 23.100 denarë.

"Baza e të dhënave për prokurimet publike të komunave, megjithatë, zbulon se në vitin 2023, komunat kanë shpenzuar 40 për qind më shumë para për prokurim se në vitin paraprak dhe se vetëm dhjetë kompani kanë marrë 25 për qind të vlerës së të gjithë tenderëve, tregojnë rezultatet e hulumtimit. 

Raportet dhe hulumtimet janë bërë në kuadër të projektit “Monitorimi i prokurimeve publike”, i cili zbatohet nga Qendra për komunikime civile, ndërsa financohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni. Është përgatitur një raport nga monitorimi i rregullt i prokurimeve publike, i cili përfshin anketa me kompani dhe përfaqësues të institucioneve shtetërore, Indeksin e racionalitetit, ku krahasohen çmimet me të cilat institucione të ndryshme kanë blerë saktësisht të njëjtat produkte apo shërbime, si dhe një analizë dhe bazë të të dhënave të prokurimeve publike të komunave për vitin 2023. ls/

Foto: Arkivi i MIA-s 

 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR