• e diel, 01 shtator 2024

Qeveria e Sholc-it përballet me një test të vështirë në zgjedhjet shtetërore në Saksoni dhe Turingi

Qeveria e Sholc-it përballet me një test të vështirë në zgjedhjet shtetërore në Saksoni dhe Turingi

Berlin, 31 gusht 2024 (MIA) - Qeveria e kancelarit gjerman Olaf Sholc do të përballet me një test të ashpër zgjedhor këtë fundjavë, pasi rezultati i zgjedhjeve në shtetet e Gjermanisë Lindore, Saksoni dhe Turingia, mund të vërë në dyshim koalicionin e tij në nivel federal, vlerëson “Euraktiv” dhe “Politiko”.

Edhe pse këto dy shtete kanë vetëm gjashtë milionë banorë (katër në Saksoni dhe dy në Turingi) – që është më pak se 8 për qind e popullsisë totale gjermane – zgjedhjet e nesërme mund të kenë një ndikim të madh në Gjermaninë në tërësi, shkruan "Euraktiv".

Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë  (AfD) kryeson në anketat në të dy shtetet, ndërsa partitë e përfshira në qeverinë e Sholc mund të humbasin pozicionet e tyre pasi sipas sondazheve parazgjedhore ato kanë rënë në rreth pragun e kërkuar elektoral prej 5 për qind.

Një rezultat në të cilin të tre partitë në pushtet – Social Demokratët e Sholcit (SPD/S&D), të Gjelbërit dhe FDP liberale – do të dështonin të hynin në asnjërin nga dy parlamentet provinciale, mund të tronditë në mënyrë drastike koalicionin federal, veçanërisht partinë e Sholcit, e cila kurrë nuk ka rënë nën pragun prej 5 për qind në zgjedhjet provinciale.

SPD aktualisht ka mbështetje prej 6 për qind, ndërsa partnerët e saj të koalicionit janë edhe më keq.

Pas zgjedhjeve në Saksoni dhe Turingi këtë fundjavë,  provinca Brandenburg gjithashtu do të dalë në zgjedhje më 22 shtator.

Një temë dominuese në fushatën për këto zgjedhje shtetërore është migrimi, veçanërisht pas një sulmi me thikë në qytetin Solingen të Gjermanisë perëndimore premten e kaluar. Debati i ditëve të fundit është fokusuar tek politika e migracionit, me akuza dhe retorikë të ashpër mes qeverisë dhe opozitës konservatore CDU, të cilat po përpiqen të parandalojnë një fitore bindëse të AfD-së.

Sipas anketave, aktualisht çështja më e rëndësishme në Saksoni është migrimi dhe votuesit i besojnë më së shumti CDU-së dhe AfD-së dhe më së paku partisë së Sholc-it.

Në Turingi, kjo çështje është në vendin e dytë, por edhe atje votuesit besojnë se e djathta ekstreme në mënyrë më efektive do të përballej me të.

Megjithëse shtetet federale nuk kanë ndikim formal në politikën e jashtme, fushata zgjedhore përfshiu edhe diskutime për dërgesat e armëve në Ukrainë, gjë të cilën shumica në Gjermaninë Lindore e kundërshtojnë.

Për këtë çështje është debatuar gjerësisht, me ç'rast shumica bëjnë thirrje për ndalimin e furnizimeve dhe në vend të kësaj bëjnë thirrje për bisedime të menjëhershme paqeje.

Ky pozicion mbështetet fuqimisht nga BSV e majtë e sapoformuar e Sarah Vagenkneht, e cila sipas anketave do të jetë forca e tretë politike në Saksoni dhe Turingi.

Si BSV ashtu edhe AfD janë euroskeptikë, kundër imigracionit dhe kundër mbështetjes ushtarake për Ukrainën.

Pavarësisht udhëheqjes së ekstremit të djathtë AfD si në Turingi ashtu edhe në Saksoni, të gjitha partitë kryesore deri më tani kanë premtuar se nuk do të bashkëpunojnë me to.

Revista "Politico" vlerëson se ngritja e partive radikale nga e djathta dhe e majta në Gjermaninë Lindore do të konsiderohet si një qortim i madh për qeverinë e koalicionit trepalësh të kancelarit Olaf Sholc, e cila po lufton për të mbijetuar pas rezultatit të dobët të zgjedhjeve evropiane. 

Nëse realizohen parashikimet aktuale, rezultati i së dielës do të shkaktojë tronditje politike në mbarë Gjermaninë dhe do të ilustrojë shkallën në të cilën votuesit, veçanërisht në lindje të vendit, po rebelohen kundër partive kryesore politike, shkruan “Politico”. ls/

Foto: EPA 

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR