PTHP NKOK propozoi arrest shtëpiak për gjyqtarin Gjoko Ristov
- Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin te gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup dorëzoi propozim që gjyqtarit të dyshuar Gjoko Ristov t'i përcaktohet masa e arrestit shtëpiak, njoftojnë nga PTHP NKOK.
- Post By Sara Ademi
- 15:06, 20 janar, 2026
Shkup, 20 janar 2026 (MIA) - Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionin te gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore Penale në Shkup dorëzoi propozim që gjyqtarit të dyshuar Gjoko Ristov t'i përcaktohet masa e arrestit shtëpiak, njoftojnë nga PTHP NKOK.
"Sot prokurori publik nga PTHP NKOK e dëgjoi gjyqtarin e dyshuar dhe ia paraqiti atij provat e mbledhura në bazë të të cilave bazohet dyshimi se i ka kryer veprat për të cilat akuzohet. Duke vlerësuar kushtet objektive që duhet përmbushur për përcaktimin e masës për sigurimin e pranisë, si dhe ato subjektive që e justifikojnë atë, prokurori publik i ka paraqitur një propozim gjyqtarit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për caktimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit", qëndron në kumtesë.
Përveç kësaj mase, siç plotësojnë, është propozuar edhe përcaktimi i masës së kujdesit - marrja e përkohshme e pasaportës ose ndonjë dokumenti tjetër për kalim të kufirit shtetëror, përkatësisht ndalesë për lëshimin e tij.
Gjyqtari i dyshuar i apelit akuzohen për veprat penale të fitimit dhe fshehjes së paligjshme të pasurisë (neni 359-1 paragrafi.3 në lidhje me paragrafin.1), dhe larje parash dhe të ardhura tjera nga krimi (neni 273 paragrafi 1) sepse në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, policia ka gjetur 350.000 euro të ngulitura në mur, për të cilët ekziston dyshimi se janë fituar në mënyrë të paligjshme.
Në ndërkohë, nga Gjykata Themelore Penale konfirmojnë se nga PTHP është dorëzuar propozim për përcaktimin e masës së arrestit shtëpiak dhe masa tjera plotësuese për sigurimin e pranisë.
"Propozimi është caktuar te gjyqtari i procedurës paraprake i cili menjëherë dorëzoi njoftim te këshilli gjyqësor kompetent prej ku pritet marrëveshje, pas së cilës gjyqtari do të vazhdojë me procedurën", njoftojnë ata. sa/
Foto: MIA arkivi