• e martë, 24 dhjetor 2024

Parlamenti shqiptar e votoi buxhetin për vitin 2025, në vlerë 8,2 miliardë euro

Parlamenti shqiptar e votoi buxhetin për vitin 2025, në vlerë 8,2 miliardë euro

Tiranë, 19 nëntor 2024 (MIA) – Parlamenti shqiptar sonte vetëm me votat e shumicës qeveritare e miratoi buxhetin për vitin e ardhshëm. 

Pas debatit 23-orësh buxheti ishte miratuar me 75 vota “për”. Kundër votuan 40 deputetë të opozitës, të cilët gjatë gjithë debatit akuzonin se buxheti është antisocial dhe se shtetin e “shpie në krizë gjithnjë e më të thellë”. 

Opozita, e cila organizoi edhe protestë para parlamentit, Edi Ramës i tha se ky është buxheti i tij i fundit, sepse “qytetarët shqiptarë do ta gjykojnë në zgjedhjet parlamentare të pranverës”. 

Buxheti i projektuar në 822,7 miliardë lekë ose 8,2 miliardë euro, që është për 600 milionë euro më i lartë në krahasim me këtë viti kalendarik dhe është historikisht më i lartë. 

Qeveria me buxhetin parasheh të vazhdojë me financim, në vëllim të gjerë, të investimeve publike në mesatare prej 6,1 për qind të PBB-së, të cilat do të dedikohen për financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe lidhur me planin e rritjes së BE-së. 

Shpenzimet e planifikuara kanë të bëjnë me digjitalizimin, transportin, sigurinë kombëtare, shëndetësinë, arsimin, bujqësinë dhe zhvillimin rural. 

Të ardhurat në buxhet për vitin 2025 janë paraparë në 7,5 miliardë euro ose 28,8 për qind të PBB-së. 

Parashihet huamarrje në tregun e huaj me eurobond në vlerë prej 600 milionë euro. 

Parashihet edhe ulje e konsiderueshme e nivelit të borxhit publik në rreth 55,8 për qind në vitin 2025. 

Për vitin e ardhshëm është paraparë fond për indeksimin e pensioneve në vlerë prej 1,6 miliardë lekë, përderisa për shpërblim për vitin e ri për pensionistët janë planifikuar 3,75 miliardë lekë. 

Ekonomia e vendit pritet të fuqizohet në periudhën afatmesme 2025-2027, në mesatare në nivel prej 3,9 për qind, kryesisht nën ndikimin e investimeve në ndërtimtari, si dhe në turizëm, si sektor strategjik. fc/

QËNDRONI TË LIDHUR