• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Osmani: Përkushtimi për eurointegrimet do ta rrisë rezistencën ndaj ndikimeve të mundshme ruse

Osmani: Përkushtimi për eurointegrimet do ta rrisë rezistencën ndaj ndikimeve të mundshme ruse

Bruksel, 3 prill 2024 (MIA) - Kërcënimi nga Rusia është serioze dhe këtë nuk e themi vetëm në narrativat tona politike, përkundrazi, këtë e thonë strukturat përgjegjëse për vlerësimin e rrezikut të agresionit rus dhe efekteve të shkaktuara nga ambiciet ruse, deklaroi sot për MIA-n ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani pas përfundimit të ditës së parë të takimit të krerëve të diplomacisë së anëtarëve të NATO-s në Bruksel.

"Vazhdoj të them se Ukraina është fillimi i ambicies perandorake ruse", theksoi Osmani.

Sipas tij, me një fitore të mundshme ushtarake në Ukrainë ose duke pushtuar rajonet jugperëndimore të vendit drejt bregut të Detit të Zi, Rusia do të krijonte një lidhje të drejtpërdrejtë me Transnistrinë dhe Moldavinë, kështu Transnistria do të ishte "stacioni i dytë" i saj së bashku me Gjeorgjinë, ndërsa më pas do të pasonte Ballkani Perëndimor.

"Ballkani Perëndimor është tashmë një objektiv serioz i kërcënimeve hibride ruse. Rusia ka krijuar qendrat e saj përfaqësuese, politikanët, partitë e saja përfaqësuese në Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut, kështu që mund të konfirmoj se Ballkani Perëndimor është në listën e ambicieve perandorake ruse", theksoi Osmani.

Shefi i diplomacisë theksoi se si përgjigje ndaj kërcënimeve të tilla, duhet të vazhdojmë me mbështetjen e fortë që Ukraina të fitojë luftën dhe të ruajë parashikueshmërinë strategjike, respektivisht përkushtimin ndaj integrimeve evropiane dhe euroatlantike, të cilat do të rrisin rezistencën e rajonit ndaj ndikimeve të mundshme ruse.

Sipas tij, shqetësime serioze janë paralajmërimet e disa partive opozitare për negociata të reja për Kornizën negociuese me BE-në dhe për tërheqje nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë.

"Së pari, ata manipulojnë publikun për mundësinë e rinegocimit të Kornizës negociuese. Kjo nuk është e mundur. Bashkimi Evropian nuk funksionon kështu. Vendimet merren me konsensus të 27 anëtareve dhe pa pëlqimin e vetëm një vendi, nuk ka asnjë mundësi për të negociuar. Së dyti, nëse vendi bllokohet në procesin evropian, jo vetëm bëhet i prekshëm nga ndikimet e mundshme ruse, por të gjitha proceset që stabilizohen dhe harmonizohen në vendin tonë bazuar në idenë evropiane do të fillojnë të shpërthejnë.", theksoi Osmani.

Sipas tij, një qasje e tillë do të ketë pasoja në progresin ekonomik, reformat në shtet, marrëdhëniet ndëretnike dhe të fqinjësisë së mirë dhe ndikimin pozitiv të BE-së në rritjen e qëndrueshmërisë së shtetit, vendi do të bëhet i pambrojtur dhe do të përfaqësojë dhuratën më të madhe për presidentin rus Vladimir Putin dhe ambiciet e tij perandorake, si një trampolinë për të hedhur në erë Evropën.

Ai theksoi se ka dyshime serioze se është kjo e fundit, por shpreson se qytetarët nuk do të lejojnë që të rrezikohet vendi, i cili këto ditë feston katër vjetorin e anëtarësimit në NATO dhe ulet në të njëjtën tryezë dhe marrin vendime së bashku me vendet më të pasura dhe më të begata dhe të gjithë e duartrokasin për besueshmërinë e arritur.

"Të mos lejojmë që aventurierët-politikanët të na rrezikojnë rrugën, të rrezikojnë marrëdhëniet tona ndëretnike dhe fqinjësore dhe mbi të gjitha proceset tona integruese evropiane", theksoi Osmani.

Duke iu referuar takimit ministror të NATO-s, Osmani tha se temat kryesore të takimit ishin përcaktimi i prioriteteve dhe konkluzioneve për Samitin e NATO-s që do të mbahet në korrik në Uashington, si dhe forcimi i unitetit të Aleancës në aspektin e mbështetjes së Ukrainës dhe ndarjen e përbashkët të detyrimeve ndaj Paktit.

Sipas Osmanit, ky takim ministror është historik për dy arsye, sepse zhvillohet në 75 vjetorin e formimit të Aleancës dhe sepse është takimi i parë në këtë format me 32 shtete, pasi për herë të parë merr pjesë edhe Suedia si një anëtare e plotfuqishme e 32-të. 

Çështja e mbështetjes së Ukrainës do të jetë temë e mbledhjes së nesërme të Këshillit NATO-Ukrainë, në të cilën do të marrë pjesë ministri i Jashtëm ukrainas Dimitro Kuleba, si dhe do të kenë takim edhe krerët e diplomacisë së anëtarëve të Aleancës me partnerë nga rajoni Indo-paqësor. qa/

Foto: MIA

QËNDRONI TË LIDHUR