• e shtunë, 23 nëntor 2024

Osmani: Gjuha shqipe është një nga elementët më të rëndësishëm të Marrëveshjes kornizë

Osmani: Gjuha shqipe është një nga elementët më të rëndësishëm të Marrëveshjes kornizë

Shkup, 22 nëntor 2024 (MIA) - Njëzëri të dërgojmë mesazh se gjuha shqipe është vija që nuk duhet kaluar, në këto beteja politike për shpërbërjen e Marrëveshjes Kornizë. Këtë e ka nënvizuar Bujar Osmani, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili është një nga pjesëmarrësit në debatin “Shqipja gjuhë zytrare - shtyllë e Marrëveshjes së Ohrit”.

Ngjarja është me rastin e 22 Nëntorit, Ditës së Alfabetit të Gjuhës shqipe, organizuar nga Qendra  Analitike Hulumtuese e Bashkimit Demokratik për Integrim “Abdilaqim Ademi”.

"Ngjarja e sotme është domethënëse, para së gjithash, sepse zhvillohet në një përvjetor të rëndësishëm, Ditën e Alfabetit të Gjuhës shqipe. Megjithatë, ne besojmë se kjo ditë e rëndësishme nuk duhet kushtuar vetëm nga konteksti historik, por edhe nga aspekti i sfidave me të cilat përballet sot gjuha shqipe. Dhe, sidomos për faktin se zyrtariteti i gjuhës sfidohet përmes nismave të paraqitura në Gjykatën Kushtetuese nga politikanët dhe partitë politike. Ne konsiderojmë se gjuha zyrtare shqipe është një nga elementët më të rëndësishëm të Marrëveshjes Kornizë", tha Osmani.

Osmani vlerësoi se Marrëveshja Kornizë është marrëveshja më e suksesshme paqësore në Ballkanin Perëndimor.

"Ajo është shtylla e kohezionit, e harmonisë ndëretnike në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe ne dëshirojmë që nga këtu, nga një panel multietnik, të japim njëzëri mesazhin se gjuha shqipe është vija që nuk duhet të kalohet në këto beteja politike për shpërbërjen e Marrëveshjes Kornizë", shtoi Osmani.

Siç është paralajmëruar, debati do të fokusohet në sfidat dhe kërcënimet aktuale me të cilat përballet Marrëveshja paqësore e Ohrit, rëndësia e saj për stabilitetin dhe zhvillimin e vendit tonë, si dhe hapat e ardhshëm për ruajtjen dhe përmirësimin e saj.

Përveç Osmanit, në panel do të flasin edhe Nikica Korubin ish-deputete dhe analiste politike, Agim Nuhiu, profesor universitar Agim Nuhiu, si dhe Ivon Veliçkovski, lider politik i Lëvizjes për Republikën e Re.

Sipas organizatorit, kjo është një temë kyçe për shoqërinë në Maqedoninë e Veriut. ls/

Foto: MIA

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR