• e shtunë, 28 dhjetor 2024

OBSH: Spitali Al Shifa në Gazë është "zonë e vdekjes" - nevojitet evakuim

OBSH: Spitali Al Shifa në Gazë është

Gazë, 19 nëntor 2023 (MIA) - Organizata Botërore e Shëndetësisë kërkoi evakuim në spitalin Al Shifa në Gazë, i cili, thekson ekipi i saj humanitar, u bë "zonë e vdekjes", transmetojnë mediat franceze. 

Organizata njoftoi se misioni i saj e ka vizituar spitalin dhe për momentin e përgatit planin për evakuim të tij.

Sipas OBSH-së, në spital mbesin 25 punonjës shëndetësorë, 291 pacientë, prej të cilëve 32 foshnja në gjendje kritike, 22 pacientë në dializë dhe dy pacientë në kujdes intensiv. 

Ekipi humanitar i OBSH-së e përshkroi situatën në spital si "zonë e vdekjes" dhe "dëshpëruese". 

"Ekipi pa një spital që nuk mund të punojë më, nuk ka ujë, ushqim, rrymë, karburant, furnizimet mjekësore janë shteruar", deklaroi sekretari i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adanom Gebrejesus në rrjetin social X.

"Duke pasur parasysh këtë situatë të dëshpëruar dhe gjendjen e shumë pacientëve, përfshirë foshnjat, personeli mjekësor kërkoi ndihmë në evakuimin e pacientëve të cilët nuk mund të merrnin kujdesin për shpëtimin e jetës në vend", shtoi ai.

Shumica e pacientëve që kanë ngelur në spital kanë kryesisht fraktura, gjymtyrë të amputuara, djegie, lëndime në gjoks dhe bark, ndërsa 29 pacientë kanë pasur lëndime të rënda të shtyllës kurrizore dhe nuk kanë mundur të lëvizin pa ndihmë mjekësore. Shumë pacientë kanë infeksione serioze për shkak të mungesës së antibiotikëve dhe kushteve të këqija të higjienës.

OBSH paralajmëroi se në ditët në vijim do të organizohen disa misione për evakuim urgjent të pacientëve. Ata do të dërgohen në spitalin Naser dhe në spitalin evropian në Gazë, edhe pse të dyja institucionet spitalore tashmë punojnë jashtë kapaciteteve të tyre. 

Armata izraelite, e cila të mërkurën filloi operacionin në vetë spitalin, thotë se në të gjendet qendër komande e Hamasit e vendosur në rrjetin e tuneleve nëntokësore. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR