• e shtunë, 23 nëntor 2024

Netanjahu kundër marrëveshjes për armëpushim nëse në të nuk përfshihet edhe çarmatimi i Hezbollahut

Netanjahu kundër marrëveshjes për armëpushim nëse në të nuk përfshihet edhe çarmatimi i Hezbollahut

Jerusalem, 16 tetor 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu deklaroi se i ka thënë presidentit francez Emanuel Makron se nuk do të pajtohej për një marrëveshje armëpushimi në Liban përderisa nuk ndërpritet armatimi i sërishëm dhe rigrupimi i Hezbollahut.

Makron paraprakisht ka bërë thirrje për një armëpushim midis Izraelit dhe Hezbollahut, të mbështetur nga Irani, si dhe për t'i dhënë fund eksporteve të armëve, që shfrytëzohen në Rripin e Gazës dhe Liban.

"Kryeministri i tha presidentit Makron se ai është kundër armëpushimit të njëanshëm, i cili nuk do të ndryshojë situatën e sigurisë në Liban dhe do ta kthejë vendin në gjendjen e mëparshme", thuhet në kumtesën e kabinetit të Netanjahut.

Aty shtohet se Netanjahu ka theksuar se "Izraeli po vepron kundër organizatës terroriste Hezbollah për të parandaluar që ajo të kërcënojë qytetarët e Izraelit në kufirin verior dhe për t'i lejuar ata të kthehen në shtëpi në mënyrë të të sigurtë".

Franca të hënën ka hedhur posht kërkesat e Netanjahut që misioni paqeruajtës i KB-së, i njohur si UNIFIL, të tërhiqet nga pozitat e veta në Liban.

Netanjahu, siç thuhet, ishte i befasuar nga qëllimi i presidentit Makron që Parisi të jetë nikoqir i konferencës për Libanin, me pjesëmarrës si Afrika e Jugut dhe Algjeria, për të cilat tha se "duke punuar për t'i mohuar Izraelit të drejtën e tij themelore për vetëmbrojtje, në fakt mohojnë të drejtën e tij për të ekzistuar".

Kabineti i kryeministrit izraelit ka reaguar në një kumtesë të veçantë ndaj deklaratës së Makronit se Netanjahu duhet t'u përmbahet vendimeve të KB-së dhe se ai nuk duhet të harrojë se vendi i tij është krijuar me vendimin e asaj organizate ndërkombëtare.

Në kumtesë thuhet se shteti i Izraelit u themelua përmes "luftës për pavarësi me gjakun e luftëtarëve të tij heroikë, prej të cilëve shumica mbijetuan Hollokaustin, duke përfshirë dhe regjimin Vishi në Francë". rq/bsh/

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR