• e premte, 26 korrik 2024

Netanjahu do të takohet me Bajdenin dhe Kamala Haris në një moment të rëndësishëm për SHBA-në dhe Izraelin

Netanjahu do të takohet me Bajdenin dhe Kamala Haris në një moment të rëndësishëm për SHBA-në dhe Izraelin

Uashington, 25 korrik 2024 (MIA) - Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu sot do të realizojë vizitën e shumëpritur në Shtëpinë e Bardhë për të takuar presidentin amerikan Xho Bajden dhe kandidaten e supozuar për president të Partisë Demokratike, Kamala Haris.

Vizita e Netanjahut në Shtëpinë e Bardhë, e para e një kryeministri izraelit që nga përfundimi i mandatit të ish-presidentit Donald Tramp në vitin 2020, do jetë në një kohë kur të tre politikanët janë nën presion në rritje për të gjetur një zgjidhje për luftën nëntëmujore në Gazë, e cila deri më tani ka marrë më shumë se 39,000 jetë në enklavën palestineze. Përveç kësaj, Hamasi ende mban peng dhjetëra izraelitë, njoftuan mediat amerikane.

Bajden po kërkon që Izraeli dhe Hamasi të pranojnë propozimin e tij për t'i dhënë fund konfliktit, i cili kërkon lirimin e pengjeve të mbetura në Gazë në tre faza. Nëse palët ndërluftuese bien dakord me planin e tij, ai do të hyjë në histori si një nga sukseset më të mëdha për demokratin 81-vjeçar, i cili u largua nga gara për Shtëpinë e Bardhë dhe mbështeti Harisin. Nga ky sukses i mundshëm i këtij plani do të përfitonte edhe vetë Haris nëse e pason atë në postin presidencial, theksojnë mediat amerikane.

Sipas përfaqësuesve të Shtëpisë së Bardhë, negociatat për këtë temë janë në fazën përfundimtare, por ka ende çështje që duhet të sqarohen.

Bajden dhe Netanjahu do të takohen gjithashtu me familjet e pengjeve amerikane të mbajtura nga Hamasi.

Haris, e cila më vonë sot do të ketë një takim special me kryeministrin izraelit, po përpiqet të tregojë se ka cilësitë për të përmbushur rolin e komandantit të përgjithshëm, njoftojnë mediat amerikane. ls/

 

 

QËNDRONI TË LIDHUR