• e mërkurë, 17 korrik 2024

Ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësore kanë kaluar leximin e parë, polemika midis dy krahëve të Aleancës për Shqiptarët për shfrytëzimin e gjuhës shqipe

Ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësore kanë kaluar leximin e parë, polemika midis dy krahëve të Aleancës për Shqiptarët për shfrytëzimin e gjuhës shqipe

Shkup,16 korrik 2024 (MIA) - Anëtarët e Komisionit parlamentar për shëndetësi dhe Komisionit ligjvënës juridik dhanë mbështetjen e tyre për të kaluar në lexim të parë Propozim ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësore, me të cilat parashikohet heqja e funksionit drejtorë ekonomikë.

Ministri i Shëndetësisë Arben Taravari në elaborimin e tij para anëtarëve të Komisionit të shëndetësisë, theksoi se ligji është në fuqi që nga viti 2007 dhe ideja për ndryshime është të hiqen drejtorët e dyfishtë.

"Disa klinika dhe spitale, të cilët kanë më shumë punonjës, kanë nga dy drejtorë - një drejtor mjekësor dhe një drejtor organizativ. Për të racionalizuar punën, nuk mund asnjëherë një institucion të menaxhohet nga dy drejtorë. Kjo është konstatuar nga përvoja 17 vjeçare e udhëheqjes nga dy drejtorë. Qëllimi ynë është ndryshimi i Ligjit, për të vendosur vetëm një drejtor. Ideja e mëtutjeshme është që të bashkohen klinika të caktuara në një spital klinik dhe institucione të caktuara shëndetësore nga një qendër shëndetësore dhe një spital i përgjithshëm në një institucion të përbashkët. Në këtë mënyrë do të racionalizojmë, do të ulim numrin e drejtorëve të objekteve shëndetësore dhe do të kemi një mënyrë shumë më efektive të menaxhimit me objekte shëndetësore", tha Taravari.

Ministri potencoi se do të vazhdojnë edhe me bashkimin e Qendrës klinike, gjegjësisht mos të ketë 32 klinika, por një.

"Jam i bindur se institucionet publike shëndetësore do të jenë shumë më efektive dhe do të ketë kursime shumë më të mëdha në shpenzimet për administratorët", tha Taravari.

Deputetja Ilire Dauti nga Fronti Evropian ka reaguar se pse ministri Taravari ka folur në gjuhën maqedonase, kur, siç tha ajo, ligjërisht mund të flasë në gjuhën amtare, pas çka ka pasur zënka partiake mes deputetes Dauti nga Aleanca për Shqiptarët nga krahu i Ziadin Selës dhe Halil Snopçe nga krahu i Arben Taravarit nga Koalicioni "Vlen" rreth asaj se kush janë përfaqësuesit e vërtetë të kësaj partie.

"Për mua është e papranueshme që ministri Taravari të nëpërkëmbë të gjitha përpjekjet e mia dhe të kolegëve, të cilët luftuan katër vjet me Parlamentin dhe të gjitha institucionet për t'i bindur që ligjet duhet të vijnë në të dyja gjuhët, pasi këtë nuk e mundëson vetëm Kushtetuta, por Ligji për zbatimin e gjuhëve, në të cilin neni 1 është i saktë dhe thotë se në nivel të të gjitha institucioneve mund të drejtohen në gjuhën të cilët flasin më shumë se 20 për qind e komuniteteve", tha Dauti.

Deputetja Dauti është ndërprerë nga kryetarja e Komisionit për shëndetësi, Rashela Mizrahi, e cila ka kërkuar që diskutimi të mos kthehet në çështje etnike. Ajo potencoi se Ligji i përkthyer është bashkangjitur në ueb faqen e Kuvendit të enjten.

Pas këtyre zënkave, ministri Taravari potencoi se nëse në seancë deputetët nuk flasin për tema shëndetësore, ai do të braktis seancën.

"Unë jam këtu për t'u përgjigjur për temat që kanë të bëjnë me shëndetësinë. Nuk e dija që jeni dërguar për të provokuar dhe për t'u marrë me tema politike", tha Taravari.

Sipas VMRO-DPMNE-së, me heqjen e 40 drejtorëve ekonomikë, shteti do të kursejë rreth dy milionë euro në vit.

"Ejani të flasim me një frymë hipokrite këtu, pa hezituar nëse dikush është i një kombësie apo tjetër, por le të flasim se si ky ligj do të përmirësojë shëndetin e shkatërruar, ku, kur pacientët ecin nëpër korridore nuk u intereson nëse janë të njërës apo të kombësisë tjetër, sepse institucionet janë jofunksionale", tha Bojan Stojanoski nga VMRO-DPMNE-ja.

Sipas LSDM-së, me shfuqizimin e drejtorëve ekonomikë, shteti nuk do të kursejë dy milionë euro, por një shumë të vogël të mjeteve.

"Nuk është e vërtetë se kursejmë dy milionë euro. Paga më e ulët bruto për drejtorët organizativë është 93 mijë denarë. Paga më e lartë bruto për drejtorët organizativë është 113 mijë denarë. Të marrim mesataren të jetë edhe më e lartë, pasi kanë shtesa, të jetë 120 mijë bruto, kursimi është 950 mijë euro në vit. Do ta mbështes këtë ligj, sepse mendoj se duhet të shihet nga pika ekonomike, por opinioni duhet ta dijë se po kursejmë një shumë të vogël të mjeteve", tha Fatmir Bytyçi nga LSDM-ja. rq/bsh/

Foto: print skrini nga video

QËNDRONI TË LIDHUR