• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Angellov: Është jashtëzakonisht e vështirë të vihet nën kontroll zjarri në Sertë, aeroplanët nuk fluturojnë për shkak të tymit të madh

Angellov: Është jashtëzakonisht e vështirë të vihet nën kontroll zjarri në Sertë, aeroplanët nuk fluturojnë për shkak të tymit të madh

Negotinë, 16 korrik 2024 (MIA) - Vendosja e kontrollit mbi zjarrin në malin Sertë është jashtëzakonisht e vështirë, po digjet pikërisht pranë rrugës, forcat janë rraskapitur në disa vende, efekti i fluturakeve ka qenë i mirë. Por ka shumë pika të nxehta, deklaroi sonte drejtori i Qendrës për Menaxhim me Kriza, Stojançe Angelov.

"Këtu, pas meje, mund të shihni se e gjithë lugina është e mbuluar plotësisht nga tymi, gjë që e bën të vështirë lëvizjen dhe fluturimin e helikopterëve. Terren jashtëzakonisht i vështirë për të shuar këtë zjarr masiv që mbulon një territor të madh të malit Sertë. Ka forca të dislokuara në terren. Në këtë moment nuk ka fluturake, sepse nuk është e sigurt, tymi që është pas meje nuk i lejon fluturaket të zbresin në lartësinë e nevojshme për të shuar zjarrin", sqaroi Angelov.

Nga ana tjetër, theksoi ai, kishin problem në Krivollak. 

"Aty po dëgjohen shpërthime, të shtëna nga granata të pa shkrepura, plumba dhe mjete të tjera shpërthyese të pashpërthyera nga të shtënat që ushtria ka bërë në periudhën e kaluar. Kështu që, vetë vendi në malin Sertë drejt poligonit Krivollak nuk është i sigurt për aksione ajrore, por nuk është i sigurt as për veprime tokësore. Ndërsa siguria e njerëzve që shuajnë zjarrin është e para. Ne do të mundohemi të vendosim vatrat e zjarrit, aty ku e lejon terreni. Të lërohet me traktorë, eskavatorë, që zjarri të mos kalojë mbi ta", nënvizoi Angelov.

Por edhe kjo ishte shumë e vështirë, sepse bëhet fjalë për terren jashtëzakonisht të pjerrët. Terreni i prerë me lugina, shkëmbinj.

"Pra në këtë moment asnjë aeroplan nuk po operon, sepse nuk janë plotësuar kushtet për veprim. Për shkak të tymit të madh edhe rruga malore përmes Sertës është e mbyllur. Temperatura është shumë e lartë, është vërtet shumë vapë dhe ka shumë tym, gjë që e vështirëson frymëmarrjen, e bën të vështirë për të gjithë ata që e shuajnë zjarrin", njoftoi drejtori i QMK-së.

Ai informoi se zjarrin në terren po e shuajnë pjesëtarë të ushtrisë, policisë, zjarrfikësve, gjuetarëve, popullatës lokale, pjesëtarëve të "Pyjeve Kombëtare".

Zjarri në rajonin e Negotinës shpërtheu të mërkurën rreth orës 10.30. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR