• e shtunë, 24 gusht 2024

NATO pas vizitës së Ruge: U përsërit përkushtimi i fuqishëm për sigurinë e përhershme të Ballkanit Perëndimor 

NATO pas vizitës së Ruge: U përsërit përkushtimi i fuqishëm për sigurinë e përhershme të Ballkanit Perëndimor 

Beograd, 23 gusht 2024 (MIA) – Ndihmëssekretari i përgjithshëm i NATO_s për çështje politike dhe politikë të sigurisë Boris Ruge gjatë vizitës në Ballkanin Perëndimor theksoi se rajoni është me “rëndësi strategjike për Aleancën” dhe e përsëriti “përkushtimin e fuqishëm të aleatëve të NATO-s për siguri të përhershme”, njoftoi Aleanca Veriatlantike.

Ruge nga 16 deri 22 gusht kishte konsultime në nivel të lartë në Sarajevë, në Prishtinë dhe në Beograd.

“Ai foli për bashkëpunimin e vazhdueshëm afatgjat ndërmjet NATO-s, Bashkimit Evropian dhe organizatave të tjera ndërkombëtare për fuqizimin e stabilitetit rajonal”, bëhet e ditur në kumtesën e NATO-s.

Ruge në Beograd u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Gjuriç dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. 

“Kishim shkëmbim të mirë për aspektet e ndryshme të partneritetit NATO – Serbi, të cilin shpresojmë se do ta thellojmë, dhe për përpjekjet e Aleancës në gjithë rajonin. Prisnim që Serbia të ndihmojë që të sigurohet përgjegjësi e plotë për veprimet e dhunshme të kryera në Kosovë në maj dhe shtator 2023 dhe të luajë rol pozitiv në bazë të marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha vendet e rajonit”, theksoi Ruge.

Ai në Prishtinë u takua me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe me përfaqësues të lartë të BE-së, OSBE-së, vendeve të Kuintit (Franca, Gjermania, Italia, Britania e Madhe dhe SHBA-ja) dhe misionit KFOR të kryesuar nga NATO.

Siç bëhet e ditur në kumtesë, kur bëhet fjalë për rihapjen e urës në Ibër të Mitrovicës, Ruge e tha qëndrimin e Aleancës se “vendimet duhet të merren përmes dialogut në mënyrë të koordinuar”. 

Ai gjithashtu theksoi se NATO plotësisht e mbështet dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit nën patronazhin e BE-së si kornizë për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura politike. 

Gjatë takimeve me Presidencën e BeH dhe funksionarë të tjerë të lartë, përfshirë edhe ministrin e Punëve të Jashtme Elmedin Konakoviq dhe përfaqësuesin e lartë për BeH, Kristian Shmit, Ruge theksoi se NATO është e angazhuar në BeH tashmë tri dekada. 

“Ne mbetemi qartë të përkushtuar në sovranitetin dhe integritetin territorial dhe nuk do të lejojmë të shfaqet ndonjë zbrazëti e sigurisë”, theksoi Ruge në Sarajevë. fc/

Fotografia: Arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR