Në UT u mbajt Simpoziumi V Shkencor “Gjurmë në kohë”
- Shoqata për Kulturë dhe Shkencë "Ars Albanica", në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës. më 20 maj 2024, e organizoi edicionin V të Simpoziumit Shkencor “Gjurmë në kohë”. Ky simpozium shkencor, siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, këtë vit iu dedikua portretit të albanologut Fadil Sulejmani, themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës.
- Post By Besnik Shuki
- 16:51, 22 maj, 2024
Tetovë, 22 maj 2024 (MIA) - Shoqata për Kulturë dhe Shkencë "Ars Albanica", në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës. më 20 maj 2024, e organizoi edicionin V të Simpoziumit Shkencor “Gjurmë në kohë”. Ky simpozium shkencor, siç njofton Zyra për informim pranë UT-së, këtë vit iu dedikua portretit të albanologut Fadil Sulejmani, themeluesit dhe Rektorit të parë historik të Universitetit të Tetovës.
Kryetari i Shoqatës për Kulturë dhe Shkencë “Ars Albanica”, Prof. Dr. Zeqirja Rexhepi tha se përmes këtij simpoziumi përkujtohet veprimtaria shkencore - studimore e albanologut Fadil Sulejmani, personaliteti i të cilit është me vlera shumëdimensionale.
“Dëshiroj që për kontributin e tyre, t’i falënderoj profesorët e nderuar që iu përgjigjën ftesës sonë për të evidentuar rëndësinë studimore që përmban vepra e Fadil Sulejmanit! Respekt të veçantë për profesoreshë Haxheren, bashkëshorten e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit. Falënderime të veçanta edhe për udhëheqësinë e Univeristetit të Tetovës, sepse përmes dashamirësisë së tyre gjen mbështetje kultura shqiptare”, theksoi Rexhepi.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve në këtë simpozium, nënvizoi se Prof. Dr. Fadil Sulejmani mbetet frymëzuesi më i madh për të gjitha gjeneratat tona për guximin, dijen dhe vendosmërinë e tij për të themeluar Universitetin e Tetovës si institucioni i parë i arsimit të lartë të shqiptarëve të këtyre trevave.
"Ne nderojmë dhe respektojmë jetën, veprën dhe idealin e Rektorit tonë të parë Prof. Dr. Fadil Sulejmani dhe jemi të angazhuar që ta përmbushim amanetin e tij për zhvillimin e këitj universiteti duke e ngritur atë në piedestal me universitetet më të mira të rajonit dhe botës", tha Zejneli.
Simpoziumin kushtuar potretit të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit me prezencën e saj e nderoi bashkëshortja e tij, Prof. Dr. Haxhere Sulejmani. Ajo evokoi kujtime nga veprimtaria e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit.
“Fadili ishte i palodhshëm, deri para themelimit të UT-së ai merrej me shkrime e vepra në fushën e albanologjisë. Ëndrra e tij ishte që shqiptarët e Maqedonisë të kenë universitetin e tyre. Kështu vendosi dhe filloi të punojë për themelimin e një universiteti shqiptar. Ka qenë shumë i vendosur në punën e tij, ka përjetuar momentet më të vështira të jetës së tij gjatë themelimit të këtij universiteti, si gjatë periudhës para legalizimit ashtu edhe më pas. Por, ai gjithmonë thoshte 'kurrë nuk jam penduar për ngritjen e këtij tempulli të dijes dhe nëse do rikthehesha në kohë, prapë do ta kisha bërë të njëjtën gjë” dhe ishte mjaft i lumtur që shqiptarët kishin mundësi për të mësuar në gjuhën shqipe'”, tha Sulejmani.
Kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti tha se Fadil Sulejmani është jo vetëm busulla jonë orientuese në mision, por edhe autoriteti moral e kulturor.
“Kam shkruar, kam folur e stërfolur në shumë qarqe për figurën dhe veprën e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit dhe pa dyshim që Rektori historik i Universitetit të Tetovës, si rilindësi i fundit, me veprat e tij akademike dhe me kryeveprën e tij historike - Universitetin e Tetovës, po na rezulton se është jo vetëm busulla jonë orientuese në mision, por edhe autoriteti moral e kulturor. Nuk ka njeri që sot nuk e di thënien e Tij epike: 'Ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë!'. I motivuar nga kjo thënie dhe nga bindja se Universiteti nuk është EMËR, por FOLJE, fill pas ndarjes së titullit Doctor Honoris Causa, në vitin 2012; pas themelimit të muzeut në Poroj në të njëjtin vit; pas konferencës shkencore dhe revistës kushtuar figurës së pashembullt të Prof. Dr. Fadil Sulejmanit më 2014; pas emërtimit të Universitetit të Tetovës me emrin e themeluesit dhe Rektorit historik “Fadil Sulejmani” dhe ngritjes së shtatores në vitin 2019; pas botimit të Monografisë në vitin 2021, ku u sheshuan njëherë e përgjithmonë të vërtetat historike, mendoja se kurorëzimi i gjithë këtij mozaiku ishte themelimi i Fondacionit dhe Çmimit Kombëtar “Fadil Sulejmani”, prandaj, në vitin e kthesave historike, me përkrahjen e pareshtur të Senatit të Universitetit të Tetovës, i kaluam dy vendime të rëndësishme: themelimin e Fondacionit dhe Çmimin Kombëtar me emrin e Tij, që u jepet për herë të parë figurave me merita të jashtëzakonshme kombëtare dhe mbi të gjitha njerëzve që, më shumë së kushdo tjetër, përmes veprimtarive të tyre, e mbajtën gjallë vetëdijen kombëtare”, deklaroi Ameti.
Ai po ashtu theksoi se Fadil Sulejmani, përveç se është busulla jonë orientuese, vektori ynë i orientimit, spiranca jonë morale dhe kujtesa jonë e gjallë, njëherësh është edhe udhërrëfyes për çdo student që ëndrrën ia beson këtij institucioni të shenjtë dhe figura e Fadil Sulejmanit shërben si motiv duke dëshmuar që edhe kombet e vegjël nxjerrin njerëz të mëdhenj dhe dinë të krijojnë vlera universale, kurse kjo, pa dyshim, na shërben të gjithëve si popull që të mos dehemi nga prominenca se veprat e mira janë si një pikë në oqeanin e pafund të veprave të shenjta.
Në përfundim të fjalës së tij në këtë simpozium, Ameti u shpreh se pas shumë viteve dhe dekadave, gjeneratat e ardhshme do të ulen kështu siç jemi ulur ne sot dhe studiuesit e ardhshëm do t’u rreken studimeve dhe do të bëjnë disertacione, libra, artikuj, shkrime, kolumna, vlerësime, dokumentarë dhe jetëshkrime për të gjithë figurat që dhanë shumëçka nga vetja për këtë kauzë dhe sidomos për Martin Luther Kingun e shqiptarëve, ashtu siç e quajti profesor Fadil Sulejmanin kongresisti amerikan Joseph DioGardi.
Në këtë simpozium u trajtuan këto studime shkencore si: “Biografia e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit” si dhe “Potretizimi i Arbëreshit Lekë Matrënga në spektrin e studiuesit Fadil Sulejmani” nga Prof. Dr. Zejnepe Alili – Rexhepi; “Fadil Sulejmani, studiues, pedagog dhe misionar” nga Prof. Dr. Salajdin Salihu; “Kontributi i Fadil Sulejmanit në kultivimin e vlerave etno – kulturore në fshatrat e Malësisë së Sharrit” nga Prof. Dr. Vebi Bexheti; “Fadil Sulejmani për kulturën dhe normën gjuhësore” nga Prof. Dr. Berton Sulejmani; “Vlerat krijuese të Fadil Sulejmanit për gjuhën, kulturën dhe traditat e Malësisë së Sharrit” dhe “Lexim i fragmentit nga vepra e Fadil Sulejmanit” nga Mr. Sc. Kaltrina Sadiki – Memeti.
Në këtë simpozium shkencor, Shoqata “Ars Albanica”, ndau mirënjohje dhe pllaketë në nderim të veprës madhore të albanologut Fadil Sulejmani, të cilën e pranoi bashkëshortja e tij Prof. Dr. Haxhere Sulejmani, po ashtu u ndanë mirënjohje dhe pllaketa edhe për rektorin e UT -së Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, për mbështetjen e vazhdueshme në afirmimin e kulturës shqiptare. bsh/