• e hënë, 08 korrik 2024

Në tërmetin e sotëm në Tajvan të paktën nëntë viktima dhe mbi 880 të lënduar

Në tërmetin e sotëm në Tajvan të paktën nëntë viktima dhe mbi 880 të lënduar

Taipei, 3 prill 2024 (MIA) - Të paktën nëntë persona kanë humbur jetën, ndërsa 882 të tjerë janë lënduar në tërmetin e fuqishëm që mëngjesin e sotëm e goditi Tajvanin.

Pas tërmetit prej 7.2 ballë sipas Rihterit që goditi bregun lindor të Tajvanit, nën rrënoja mbetën më shumë se 120 persona të cilët besohet se janë gjallë.

Epiqendra ka qenë 18 kilometra në jug të qytetit Hualien, ndërsa deri më tani janë regjistruar të paktën 100 goditje të njëpasnjëshme.

Tërmeti ka shkaktuar rrëshqitje të dheut me çka 26 ndërtesa janë shembur ose të dëmtuar rëndë, rrugë të shkatërruara, ndërsa disa pjesë të Tajvanit kanë mbetur pa rrymë. Nga disa objekte kanë rënë pjesë të konstruktit, si dhe skela të objekteve të papërfunduara.

Shërbimi kundër zjarreve thotë se të paktën 127 persona janë bllokuar nën rrënoja. Më shumë se 75 njerëz janë bllokuar në tunelet Jinvan dhe Kingsui rreth maleve të Hualienit. Në operacionin e shpëtimit është përfshirë edhe armata.

Poashtu të paktën 50 njerëz u bllokuan në katër minibusë që udhëtonin nga Hualien në Parkun nacional Taroko.

Tërmeti në Tajvan është më i fuqishmi në 25 vitet e fundit dhe është ndjerë edhe në jug të Japonisë, në lindje të Kinës dhe në Filipine.

Ekspertët parashikojnë se në ditët në vijim do të ketë rrezik për aktivizimin e rrëshqitjeve të reja.
Janë shembur edhe disa ura në vendbanimet malore.

Shërbimet e shpëtimit kumtuan se tre alpinistë u vranë në një rrëshqitje dheu të shkaktuar nga tërmeti në pjesën malore Dekalun, derisa një person u vra në një makinë jashtë tunelit Huide kur një shkëmb u shkëput dhe ra mbi automjetin.

Ishte dhënë paralajmërim për cunami madje për Tajvanin, Japoninë dhe Filipinet, por më pas ato janë tërhequr në disa zona.

Foto: EPA

QËNDRONI TË LIDHUR