• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Në Kosovë deri më tani janë regjistruar katër raste me ethet e Nilit Perëndimor

Në Kosovë deri më tani janë regjistruar katër raste me ethet e Nilit Perëndimor

Prishtinë, 9 shtator 2024 (MIA) - Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kumtoi  se deri më tani në vend janë konfirmuar katër raste të infektuara me virusin e Nilit Perëndimor, njoftoi korrespondenti i MIA-s nga Prishtina.

Në raportin e sotëm përmbledhës për gjendjen me ethet e Nilit Perëndimor në Kosovë, IKSHPK bëri të ditur se rasti i parë i importuar është konfirmuar më 7 gusht 2024 te një banor i komunës së Fushë Kosovës.

Rasti i dytë dhe i tretë thuhet se janë autoktone dhe janë konfirmuar më 9 gusht 2024, tek një banor i Bardhit të Madh të komunës së Fushë Kosovës dhe më 30.08.2024 te një banor i Prizrenit.

Rasti i katërt thuhet të jetë rast i importuar dhe është konfirmuar më 05.09.2024 tek një banore e Fsh. Rufc i Vjetër të komunës së Lipjanit

Të gjitha raste janë trajtuar në Klinikën Infektive dhe pas përmirësimit të gjendjes shëndetësore janë liruar në shtëpi.

Në kumtesën e Institutit theksohet se mbikëqyrja sezonale ndaj virusit të Nilit Perëndimor (WNV) në Evropë kryhet nga qershori deri në nëntor, pra gjatë sezonit të përhapjes së mundshme kur ka prani masive të mushkonjave si bartëse të sëmundjes.

“Bazuar në raportimet nga Sistemi Evropian i Mbikëqyrjes (TESSy) nga fillimi i vitit 2024 deri më 5 shtator 2024, 15 vende në Evropë kanë raportuar raste njerëzore të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor: Shqipëria, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Italia, Kosova, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Spanja dhe Turqia”, thuhet në kumtesën.

Virusi i Nilit Perëndimor (West Nile Virus – WNV) transmetohet nga pickimi i mushkonjave te zogjtë. Njerëzit dhe gjitarët gjithashtu mund të infektohen, megjithëse rreth 80 për qind e infeksioneve humane nuk kanë simptoma. Shumica e rasteve humane paraqiten midis korrikut dhe shtatorit kur mushkonjat janë aktive.

!Rreth 20 për qind e infeksioneve WNV tek njerëzit mund të shkaktojnë ethet e Nilit Perëndimor (West Nile Fever – WNF), e karakterizuar me: dhimbje koke, ethe, mialgjia, të vjella, skuqje, lodhje, dhimbje e syve. Më pak se një për qind mund të shkaktojë sëmundje neuroinvazive të Nilit Perëndimor që prek sistemin nervor", thuhet në kumtesën e Institutit të Kosovës. ls/

 

QËNDRONI TË LIDHUR