Gjykata Supreme e SHBA-së do të vendosë për kushtetutshmërinë e planit të Trampit për të hequr shtetësinë pas lindjes
- Gjykata Supreme e SHBA-së njoftoi se do të shqyrtojë ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Tramp që synon heqjen e të drejtës së shtetësisë pas lindjes, e cila automatikisht i jep shtetësi kujtdo që lind në territorin e SHBA-së.
- Post By Sara Ademi
- 11:28, 6 dhjetor, 2025
Uashington, 6 dhjetor 2025 (MIA) - Gjykata Supreme e SHBA-së njoftoi se do të shqyrtojë ligjshmërinë e urdhrit ekzekutiv të presidentit Donald Tramp që synon heqjen e të drejtës së shtetësisë pas lindjes, e cila automatikisht i jep shtetësi kujtdo që lind në territorin e SHBA-së.
Plani, i lëshuar në fillim të mandatit të dytë të Trampit, është pjesa e parë e axhendës së tij të imigracionit që shqyrtohet nga Gjykata Supreme mbi baza ligjore thelbësore, raportoi Si-Bi-Es. Asnjë gjykatë e shkallës së parë që ka shqyrtuar kundërshtimet ligjore ndaj urdhrit nuk e ka pranuar interpretimin e administratës së Trampit të Amendamentit të 14-të. Ministria e Drejtësisë, megjithatë, argumenton se këto vendime janë të gabuara dhe se Kushtetuta nuk u jep shtetësi fëmijëve "të vizitorëve të përkohshëm ose të të huajve të paligjshëm".
Amendamenti parashikon që "të gjithë personat e lindur ose të natyralizuar në SHBA dhe që i nënshtrohen juridiksionit të tyre" janë shtetas të SHBA-së.
Sesilia Vang e Unionit Amerikan për Liritë Civile, e cila përfaqëson paditësit, theksoi se asnjë president nuk mund ta ndryshojë këtë parim kushtetues dhe se për më shumë se 150 vjet ka qenë në fuqi rregulli që çdokush që lind në tokën amerikane është shtetas që në lindje.
Tramp e lëshoi urdhrin ditën e tij të parë të rikthimit në Shtëpinë e Bardhë. Ai përcakton që fëmijët e lindur në SHBA nga prindër që janë në vend ilegalisht ose përkohësisht nuk do të njihen si shtetas.
Kjo do të thoshte një ndryshim në qëndrimin që për më shumë se një shekull ka garantuar shtetësinë, përveç fëmijëve të diplomatëve dhe personelit ushtarak të huaj.
Gjykata Supreme vendosi në vitin 1898 se shtetësia përcaktohet nga vendi i lindjes. Urdhri i Trampit nuk hyri kurrë në fuqi për shkak të një sërë sfidash ligjore. Gjykatat e shkallës së parë e bllokuan atë dhe Gjykata Supreme më parë kishte kufizuar fuqinë e gjykatave të shkallës së parë për të lëshuar urdhra në të gjithë vendin, por kishte lejuar mbrojtje të gjerë ligjore përmes padive kolektive.
Pas këtij vendimi, u ngritën padi në emër të dy foshnjave, prindërve të tyre dhe një gruaje shtatzënë në Nju Hempshir. Një gjykatë federale e distriktit vendosi që urdhri me siguri është jokushtetues dhe bllokoi zbatimin e tij në të gjithë vendin. Gjykata Supreme tani po shqyrton çështjen para Gjykatës së Apelit për Qarkun e Parë, sipas rregullave.
Gjykata nuk veproi mbi një apel tjetër të paraqitur nga shtetet e Uashingtonit, Arizonës, Illinoisit dhe Oregonit, ndërsa Gjykata e Apelit për Qarkun e Nëntë ka vendosur tashmë se urdhri është i pavlefshëm sepse shkel Amendamentin e 14-të.
Ministria e Drejtësisë po i kërkon Gjykatës Supreme të vendosë mbi kushtetutshmërinë e urdhrit. Seancat dëgjimore priten vitin e ardhshëm, me një vendim që pritet në fund të qershorit ose në fillim të korrikut. sa/
foto: arkivi