Micotakis do ta vizitojë Kanadanë
- - Kryeministri i Greqisë, Kirjakos Micotakis më 24 mars do të udhëtojë për vizitë në Kanada, ku do të takohet me homologun e tij Xhastin Trudo dhe do ta finalizojë marrëveshjen për blerjen e shtatë aeroplanëve zjarrfikës, njoftoi "Katimerini".
- Post By Fitore Curri
- 09:59, 21 mars, 2024
Athinë, 21 mars 2024 (MIA) - Kryeministri i Greqisë, Kirjakos Micotakis më 24 mars do të udhëtojë për vizitë në Kanada, ku do të takohet me homologun e tij Xhastin Trudo dhe do ta finalizojë marrëveshjen për blerjen e shtatë aeroplanëve zjarrfikës, njoftoi "Katimerini".
Ajo do të jetë vizita e parë e një kryeministri grek në Kanada pas 41 viteve.
Micotakis të dielën në Montreal do të takohet me Trudon dhe do të marrin pjesë në ngjarjen përkujtimore për Ditën e Pavarësisë së Greqisë - 25 mars, ngjarje e organizuar nga bashkësia greke në Kanada.
Micotakis në intervistë për gazetën kanadeze "Glloub end meill" (Globe and mail) theksoi se me Trudon do të bisedojë për situatën në Ukrainë dhe për konfliktin izraelito-palestinez.
Është paraparë që Micotakis më 25 mars të udhëtojë për në Toronto në takim me bashkësinë afariste dhe me përfaqësues të bashkësisë lokale greke.
Në Kanada, Micotakis gjithashtu do të lidhë marrëveshje për blerjen e shtatë aeroplanëve për shuarjen e zjarrit DCH-515, modelet më të reja nga "De Aviland" (De Havilland).
Pesë nga shtatë aeroplanët në aviacionin grek do t'i blejë Qeveria greke. Dy të tjerat do t'i blejë Bashkimi Evropian për degën e tij për mbrojtje civile, i njohur si „rescEU“. Dy aeroplanët do të gjenden në Greqi, por do të fluturojnë edhe në vende të tjera që të ofrojnë ndihmë gjatë rasteve urgjente në zjarre pyjore. Vlera e furnizimit është reth 360 milionë euro. fc/
Fotografia: Arkivi i MIA-s