Zaharova: NATO po përpiqet ta kthejë Moldavinë në qendër për furnizimin e Ukrainës me armë
- Ministria ruse e Punëve të Jashtme e akuzoi sot NATO-n se po përpiqet ta kthejë Moldavinë në një qendër logjistike për furnizimin e ushtrisë ukrainase dhe se po përpiqet të afrojë infrastrukturën e tij ushtarake me Rusinë.
Moskë, 25 dhjetor 2024 (MIA) - Ministria ruse e Punëve të Jashtme e akuzoi sot NATO-n se po përpiqet ta shndërrojë Moldavinë në një qendër logjistike për furnizimin e armatës ukrainase dhe se po përpiqet të afrojë infrastrukturën e tij ushtarake me Rusinë.
Zëdhënësja e Ministrisë, Marija Zaharova në brifingun me gazetarët deklaroi se shumica e popullsisë së Moldavisë nuk dëshiron që ai vend të anëtarësohet në Aleancë.
Duke biseduar për gjendjen në Transnistria, Zaharova vuri në dukje pretendimet e shërbimeve të inteligjencës ruse, sipas të cilave presidentja e Moldavisë, Maja Sandu, po përgatitet për luftë.
"Regjimi i presidentes Maja Sandu ka për qëllim ta shfrytëzojë krizën energjetike në vend dhe për të zgjidhur me dhunë çështjen e Transnistrisë. Ata kategorikisht ia kalojnë përgjegjësinë e tyre Rusisë për ndalimin e furnizimit me gaz dhe po shqyrtojnë mundësinë e pushtimit me forcë të termocentralit shtetëror moldav në Transnistria", tha Zaharova.
Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR) në fillim të kësaj jave paralajmëroi se Sandu po përgatit një plan për operacione ushtarake në Transnistria, duke thënë se askush nuk mund të garantonte se ajo nuk do të përpiqej të fillonte një konflikt të armatosur. qa/
Foto: Arkivi i MIA-s