Mickoski në Forumin ekonomik botëror në Davos - janë paraparë takime të shumta për prezantimin e mundësive për investim në Maqedoninë e Veriut
- Kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, merr pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës. Në forumin në qendrën dimërore zvicerane, i cili këtë vit mbahet nën moton "Në frymën e dialogut", do të ketë 3.000 pjesëmarrës, duke përfshirë 65 shefa të shteteve dhe qeverive dhe më shumë se 850 drejtorë ekzekutivë të kompanive udhëheqëse botërore.
- Post By Besnik Shuki
- 08:46, 20 janar, 2026
Davos, 20 janar 2026 (MIA) - Kryeministri Hristijan Mickoski, i shoqëruar nga një delegacion i lartë qeveritar, merr pjesë në takimin e 56-të vjetor të Forumit Ekonomik Botëror (WEF) në Davos të Zvicrës. Në forumin në qendrën dimërore zvicerane, i cili këtë vit mbahet nën moton "Në frymën e dialogut", do të ketë 3.000 pjesëmarrës, duke përfshirë 65 shefa të shteteve dhe qeverive dhe më shumë se 850 drejtorë ekzekutivë të kompanive udhëheqëse botërore.
"Në ditët në vijim do të kemi takime të shumta që presim të ndikojnë ndjeshëm në përmirësimin e situatës ekonomike dhe të tërheqin një numër të madh të investimeve. Do të marr pjesë në tre panele, ku do t'i prezantoj mundësitë e investimit në Maqedoni, ndërsa në të njëjtën kohë do të kemi takime të shumta dypalëshe me shumë kompani nga e gjithë bota. Pres rezultate të frytshme, takime të suksesshme dhe një vizitë të suksesshme në Davos", publikoi kryeministri Hristijan Mickoski në profilin e tij në Fejsbuk.
Kryeministri Mickoski do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe me përfaqësues të korporatave dhe institucioneve financiare kryesore globale, duke prezantuar përfitimet e investimit në ekonominë e Maqedonisë, me një fokus të veçantë në energji dhe teknologji.
Në panel diskutimet lidhur me zhvillimin e qëndrueshëm, në të cilat do të marrë pjesë delegacioni i Maqedonisë së Veriut, do t'i prezantojë planet strategjike për transformimin energjetik dhe lidhjen infrastrukturore të rajonit.
Gjatë samitit, kryeministri Mickoski është paraparë të marrë pjesë në sesione të mbyllura për liderët, si dhe në debate publike të fokusuara në inteligjencën artificiale, energjinë dhe rrugët e reja për rritje ekonomike në Evropë.
Delegacioni qeveritar në Davos do të realizojë takime edhe me përfaqësues të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, me qëllim përshpejtimin e proceseve të reformave dhe sigurimin e mbështetjes për projektet kryesore kombëtare.

Programi zyrtar i Forumit ekonomik botëror fillon sot. Në hapjen, fjalime do të mbajnë kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, presidenti francez, Emanuel Makron dhe zëvendës kryeministri kinez, He Lifeng.
Në Davos nesër vjen edhe presidenti amerikan, Donald Tramp, i cili do të jetë folësi kryesor në forumin. Trampi do të shoqërohet nga disa funksionarë të lartë amerikanë, duke përfshirë edhe sekretarin e Financave, Skot Besent. bsh/
Foto: MIA/FB