• e mërkurë, 25 dhjetor 2024

Mickoski: Çështja është se deri ku është projekti për Korridorin 8 në Shqipëri

Mickoski: Çështja është se deri ku është projekti për Korridorin 8 në Shqipëri

Shkup, 17 tetor 2024 (MIA) - Korridori 8 për ne është i rëndësishëm sa edhe korridori 10, sepse ëndrra ime si kryetar i qeverisë është që Maqedonia të jetë udhëkryq në tre baza - hekurudhore, rrugore dhe energjetike dhe pa Korridorin 8 nuk do të jetë hekurudhore. Pyetja është se deri ku është ky projekt në Shqipëri, a ekziston projekt atje, a ka filluar qeveria ta bëjë atje dhe a është ndër prioritetet, tha sot kryeministri Hristian Mickoski.

"Ne përkushtimin tonë e treguam dhe dëshmuam me atë që Seksioni 1, pjesa 1 që është nga Kumanova në Belakovcë, tashmë e kemi përfunduar, Seksioni 2 nga Belakovcë deri në Kriva Pallankë po ndërtohet dhe për Seksionin 3 nga Kriva Pallanka deri në kufirin me Bullgarinë derisa të shohim nga pala bullgare një angazhim dhe projekt të qartë, nuk e kemi ndërmend të shpenzojmë paratë, sepse ato para do t'i destinojmë në projekte të tjera që janë aktualisht më prioritare. Kjo është deklarata e Nikollovskit dhe ky është edhe qëndrim i imi", tha Mickoski në pyetjen e gazetarëve gjatë vizitës së sotme në fshatin Radiovcë të Tetovës.

Në takimin e djeshëm në Bruksel ndërmjet delegacionit të Maqedonisë dhe Bullgarisë, siç tha ai, është konstatuar se gjysma e tunelit nga ana bullgare mungon, gjegjësisht nuk ka asnjë projekt dhe se projekti do të jetë gati në vitin 2026, si dhe pas përfundimit të këtij projekti po bëhet projekt për pjesën e mbetur që mungon për t'u lidhur me hekurudhën ekzistuese që është pjesë e Korridorit 8 e që duhet të lidhë portet e Burgasit dhe Durrësit.

"Këto 24 kilometra që janë në anën tonë, për të cilat ju qytetarë duhet të paguani gjysmë miliardë euro, nuk do t'i shpenzoj për t'i thënë kontraktorit se cilat kompani duhet të jenë nënkontraktorë, kush duhet të bartë beton, kush duhet të bartë rërë, kush duhet të bart armaturë. Do të takoni shumë kompani nga kjo pjesë që tani punojnë në Kriva Pallankë dhe bartin këtë lloj materiali për seksionin 1 dhe 2. Kush ka dhënë udhëzime të tilla publiku do ta mësojë dhe do ta dëshmojë. Por ne nuk do të shpenzojmë këto gjysmë miliard nga paratë tuaja derisa të përfundojë projekti nga ana bullgare, sepse nuk do të ndërtojmë hekurudhë që do të përfundojë në qorrsokak në gjysmë tuneli", theksoi Mickoski.

Ai theksoi se nuk është normale nga Tetova në Ohër të arrihet për tre orë dhe paralajmëroi se deri në fillim të sezonit të ardhshëm turistik do të vihet në përdorim pjesa nga vendi Arbinovë në Ohër në autostradën Kërçovë - Ohër.

Siç tha ai, njerëz nga BDI nga pushteti i kaluar për dy vjet vetëm janë fotografuar, se po e fillojnë Korridorin 8 dhe Korridorin 10d dhe përveç se kanë paguar 350 milionë euro paradhënie nuk kanë lëvizur asnjë milimetër as nga Korridori 8 dhe as nga Korridori 10d.

Foto: arkivi i MIA-s

QËNDRONI TË LIDHUR