09:00/15 janar/2025
Shkup - Në Kuvend sot do të takohen dy komisione - Komisioni për mbrojtje dhe siguri dhe ai për transport, transformim digjital, mjedis dhe planifikim hapësinor. Anëtarët e Komisionit për mbrojtje dhe siguri do të diskutojnë rreth Propozimin - vendimit për dërgimin e pjesëtarëve të Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut për të marrë pjesë në operacionin ndërkombëtar të Organizatës së Kombeve të Bashkuara "UNIFIL", në Republikën e Libanit, në lexim të dytë dhe Informacioni rreth nevojës për prokurim të pajisjeve ushtarake nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes pranimit të Letrave për ofertë.
Shkup - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, sot do të mbajë mëngjes pune me ambasadorët e vendeve-anëtare të Bashkimit Evropian të akredituar në vend. Takimi, siç bënë të ditur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, organizohet në kuadër të praktikës së krijuar për mbajtjen e takimeve të rregullta pune me ambasadorët me qëllim të shkëmbimit të mendimeve për çështjet aktuale në procesin e integrimit tonë në Bashkimin Evropian.
Shkup - Shefi i Shtatmadhorisë së Armatës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjeneral-majori Sashko Lefçinski, prej sot do të marrë pjesë në konferencën e rregullt të Komitetit ushtarak të NATO-s në formatin e shefave të Shtatmadhorive të vendeve-anëtare të NATO-s dhe partnerëve. Në këtë konferencë në ditën e parë do të realizohen sesione me shefat e vendeve-anëtare të NATO-s, në të cilat do të diskutohet për më shumë tema, ndër të cilat për gjendjen e sigurisë në zonën e përgjegjësisë të Aleancës dhe gatishmërinë për mbrojtje dhe përgjigje, modernizim dhe interoperabilitet të Aleancës së NATO-s, konributin ndaj stabilitetit dhe sigurisë, kërcënimeve, rreziqeve dhe sfidave.
Shkup - Komunikacioni në rrugët shtetërore po zhvillohet në kushte dimërore, nëpër rrugë të lagështa me mbetje të borës në rrugë pas ndërhyrjes së ekipeve kujdestare. Reshje të dobëta të borës po vërehen në Kërçovë, Presekë dhe Bukovë, njofton LAMM. Ndalesa për lëvizje të automjeteve të rënda për arsye parandaluese ka në aksdet rrugore Mavrovë - Dibër, Tetovë-Kodër të Diellit dhe në qafën malore Strumicë - Berovë. Intensiteti i komunikacionit në akset rrugore jashtë zonave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk ka pritje më të gjata për hyrje dhe dalje nga shteti.
Shkup - Moti sot do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i ftohtë me reshje të kohëpaskohshme të borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të jetë në interval -7 deri në 0, ndërsa maksimalja do të arrijë nga -2 deri në 5 gradë. Nga DPHM informuan se moti në Shkup do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe i ftohtë me kushte për reshje të dobëta të borës. Do të fryjë erë e lehtë deri mesatare nga drejtimi verior. Temperatura minimale do të zbresë deri në -5, ndërsa ajo maksimale do të arrijë në 4 gradë.
Moskë - Këshilltari i afërt i presidentit rus Vladimir Putin, Nikollaj Patrushev, përndryshe ish-sekretar i Këshillit rus për siguri kombëtare, në një intervistë për gazetën "Kosmomolskaja Pravda" deklaori se edhe Ukraina dhe Moldavia do të mund të ndalojnë së ekzistuari si shtete të pavarura, transmeton DPA. "Nuk mund të përjashtohet Ukraina këtë vit së ekzistuari më", deklaroi Patrushev, duke shtuar se edhe Moldavia me siguri "do t'i bashkohet shtetit të parë ose nuk do të ekzistojë plotësisht më".
Tel Aviv - Izraeli dhe Hamasi mbrëmë arritën marrëveshje parimore për shkëmbimin e pengjeve dhe për momentin janë duke punuar në Doha për finalizimin e detajeve të marrëveshjes, deklaruan dy përfaqësues arabë për "Tajms of Izrael". Një nga çështjet kryesore që fillimisht duhet të zgjidhet ka të bëjë me parametrat e saktë të tërheqjes së forcave izraelite nga Gaza, ndërsa ndërmjetësuesit janë ende duke pritur për një hartë nga Izraeli që do ta qartësonte atë pikë, deklaruan autoritetet arabe.
Seul - Presidenti i sapozgjedhur koreanojugor Jun Suk Jeol sot është arrestuar për shkak se për një kohë të shkurtër ka vendosur gjendje lufte në dhjetor, njofton agjencia zyrtare e lajmeve Jonhap. Policët dhe personeli nga zyra për luftë kundër korrupsionit të Koresë së Jugut këtë mëngjes e kanë shoqëruar Jun në rezidencën e tij për ta çuar deri te zyra e prokurorit publik në tentativën e tyre të dytë që ta bëjnë këtë, informoi Jonhap. Operacioni u shfaq i qetë pavarësisht shqetësimeve serioze të sigurisë, transmetoi DPA.